Bashkëpunimi Penian-Moskë: Koreja e Veriut dërgon mijëra punëtorë për rindërtim në Kursk

Koreja e Veriut do të dërgojë mijëra punëtorë në Rusi për të ndihmuar në rindërtimin e krahinës së Kursk-it që është shkatërruar nga lufta. Sekretari i këshillit të sigurisë së Rusisë Sergej Shoigu, i cili mbajti të martën në Penian bisedime udhëheqësin koreano-verior Kim Jong-un, dislokimin e punëtoreve të atij vendi e cilësoi si ndihmë vëllazërore.
Bëhet fjalë për një divizion ndërtuesish, dy brigada ushtarake me nga 5 mijë persona dhe 1 mijë persona të tjerë të specializuar në eliminimin e minave që sipas Shoigu do të ndihmojnë në rindërtimin e Kursk-it.
Koreja e Jugut dhe Japonia dënuan menjëherë planin, për të cilin Seuli këmbënguli se ishte në shkelje të sanksioneve të OKB-së ndaj Koresë së Veriut.
“Jemi seriozisht të shqetësuar për këto zhvillime që do të përkeqësojnë situatën në Ukrainë dhe ndikojnë mjedisin e sigurisë në rajon”, u shpreh ndërkohë një zyrtar i lartë i Japonisë.
Në muajin nëntor të vitit të shkuar, ligjvënësit rusë miratuan traktatin e mbrojtjes së përbashkët me Korenë e Veriut. Të dy vendet, ishin shprehur më parë se do të ndihmonin njëri-tjetrin në rast agresioni ndaj secilit prej tyre.
Ndërkaq, oficerë të inteligjencës koreano-jugore thonë se janë rreth 15 mijë koreano-veriorë që ndodhen aktualisht në Rusi në kuadër të programeve dypalëshe të bashkëpunimit industrial. Si Peniani dhe Moska konfirmuan në muajin prill praninë e trupave koreano-veriore në radhët e ushtrisë ruse, çka u dënua nga Seuli dhe SHBA.
Po në fillim të muajit prill, Rusia pretendoi se kishte marrë tërësisht nën kontroll krahinën perëndimore të Kursk-it në kufi me Ukrainën, ku gushtin e shkuar forcat e Kievit nisën një ofensivë madhore. Pretendimi rus është hedhur poshtë nga Kievi.
/rtsh.al/