E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishësi i festave u kërkon shqiptarëve të shkelin ligjet për interesin e tij personal

26-12-2010 / Nga Artur Bego

Ka përdhosur ditën e festës me deklarime për ferrin e jetës në vendin tonë dhe ka dërguar kasnecët të kërkojnë shkeljen e ligjit, në mënyrë që ai të mbijetojë në politikë. Kreu i PS s’kërkon marrëveshje as në ligj e as në Kanun, pasi kodet të cilat kupton janë kodet e malavitës, prandaj edhe as sot, as nesër e asnjëherë s’do ketë shpresa të realizohet një marrëveshje që do i garantojë Edvinit imunitetin e përjetshëm përballë hetimit të drejtësisë

Edi Rama tekanjozi që prej më se një viti e gjysmë, këmbëngul për shkeljen e ligjit

Në më se një vit e gjysmë, që i kushtëzuari Edi Rama, po kushtëzon marrëdhëniet e tij me Kuvendin (kur duhet të ishte e kundërta, sepse opozita sallën plenare ka “tribunën” e ballafaqimit me mazhorancën dhe elektoratin), nën pretekstin e “hapjes së kutive”, përpos forcimit të pozitave të tij brenda PS-së, në krye të së cilës nuk ndjehet kryetar, për ca kapital politik më shumë, nuk pyet as për ligj, as për rregulla e raporte, qofshin këto edhe ndërkombëtare.
Shkurt...
Edi Rama, përballë anëtarësisë dhe drejtuesve të PS-së, por edhe të partive të opozitës, zgjedh rrugën më të palogjikshme, atë të këmbënguljes deri në nivelin e tekanjozit, për shkeljen e ligjit.
Sigurisht, kjo rrugë e palogjikshme, nuk është e shkurtër, po të risjellim në vëmendje se, Edi Rama ka as më shumë e as më pak, por që nga 28 qershori i vitit 2009, që kërkon jo vetëm të shkelë ligjin, por të bëjë pjesë të kësaj teke të tij edhe mazhorancën, së cilës i kërkon edhe asaj, të ulet e të shkelë ligjin.
Sjellja tekanjoze e Edi Ramës, me paramendim për shkeljen ligjit, nën pretekstin e “hapjes së kutive”, u dekonspirua si e tillë, që në fillesat e këtij “aksioni politik” të tijin.
Mbahet mend ende shumë mirë, kur pasa zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, Edi Rama pranoi rezultatin e zgjedhjeve, por kërkon rihapjen dhe rinumërimin e votave.
Konsumimi i Edi Ramës, me sjelljen e tij tekanjoze për “hapje kutish”, dukshëm binte në sy që ishte një përpjekje për të imponuar shkeljen e ligjit. Duke mos sjellë asnjë argument ligjor, pse duhet të hapen kutitë dhe të hetohen zgjedhjet e 28 qershorit 2009, nga ana tjetër, ai në mënyrë të ndërgjegjshme, për sjelljen e tij tekanjoze, e ka të qartë se,  këtë sjellje të tij (tekanjoze) por për më tepër antiligjore, nuk ia mundësojnë, as Ligji “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, as precedenti i një komisioni të tillë të ngritur, po me kërkesë të PS-së pas zgjedhjeve të 3 korrikut të vitit 2005, as një vendim i Gjykatës Kushtetuese, as Kodi Zgjedhor, as Kolegji i Apelit, as certifikimet e rezultateve nga KQZ-ja, as ndërkombëtarë as, por as policët e Pjerin Ndreut, që morën përsipër të ruanin votat më se një vit e gjysmë më parë, por që ende nuk kanë sjellë ndonjë provë, pse ata nuk ishin të aftë të ruanin votat.
E me gjithë atë, këto “barrikada” ligjore dhe joligjore, ende nuk bindin Edi Ramën, për deri sa, ai në mënyrë të përsëritur prej më se një viti e gjysmë, pretendon “hapje kutish”...
... Këtu ka një problem...!
... A e beson vërtetë edhe aleati i tij Nard Noka, që hapja e kutive, është një domosdoshmëri, të paktën që pas rinumërimit të votave në Qarkun e Shkodrës, nga Prokuroria lokale...?!
Edi Rama, i mësuar për të injoruar e përcjellë me indiferentizëm, jo Nard Ndokën, e ndonjë aleat tjetër të tij opozitarë, por edhe bashkëpunëtorët brenda PS-së, pak do t’ia dijë, se sa vend ka për sjelljen e tij tekanjoze, edhe pas hapjes së kutive në Shkodër.
Por, sigurisht, kjo nuk e pengon atë që të këmbëngulë për shkeljen e ligjit.
Kjo marrëdhënie e kushtëzuar me ligjin po konfirmohet edhe këto ditë të fundit, gjatë negociatave për ngritjen e një komisioni ligjor. Ndërsa mazhoranca, ka pranuar dhe ka dhënë konsensus për të gjitha pikat dhe kërkesat e opozitës, nga ana e saj, opozita e drejtuar nga Edi Rama, nuk pranon të shtohet një pikë, që t’u kujtojë, se hetimi duhet të bëhet në bazë të Kodit Zgjedhor dhe Kushtetutës.
Këtu problemi kalon në anën e mazhorancës...!
... Sa  ajo nuk do të lejojë që Edi Rama të ushqejë ende iluzione, se shkelja e ligjit, është një “sjellje normale”, sikurse mund të jetë sjellja e tij tekanjoze.
Afër mendsh, që mazhoranca s’ka ndërmend të ulet në nivelin e shkeljes së ligjit...!
... Për çfarë...?!
... Vetëm e vetëm për ti plotësuar një teke Edi Ramës.
... Lind pyetja, “ç’duhet të bëjë Edi Rama?”...
... Edi Rama duhet të bëjë asgjë më shumë se sa atë që nuk e bëri të paktën që para zgjedhjeve të 28 qershorit 2009... Të “familjarizohet” me bazën ligjore, më saktë, të njihet me Ligjin Nr. 8891, “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, të datës 02. 05. 2002; Vendimin e Kuvendit Nr. 8, i datës 20. 10. 2005 për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar “Për Zbatimin e Legjislacionit Zgjedhor në Zgjedhjet e datës 3 korrik 2005” si edhe; Vendimin me Nr. 18, datë 14. 05. 2003, të Gjykatës Kushtetuese, “bazë e rëndësishme ligjore”, me të cilën Edi Rama, duhet të kishte ndërtuar “marrëdhënie të ngrohta”, jo para se të artikulonte pretendimin e tij për hapje kutish dhe rinumërim votash, por që para se ai të hynte në zgjedhje.
Ky moment “studim” dhe “familjarizimi” me “bazën ligjore” të zgjedhjeve, nuk mbaron me kaq...
Momenti zgjedhor dhe postzgjedhor, “kokfortësisht” ka edhe ai “pjesën e bazës ligjore”, sikurse janë Kodi Zgjedhor, i njohur ndryshe edhe si Ligji Nr. 10019, vendimet e Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, vendimet e KQZ-së, pa përmendur deklarimet, raportet, apo rezolutat e ndërkombëtarëve, apo edhe “heshtjen që flet shumë” të policëve të Pjerin Ndreut, që ndërsa i kanë bërë të qartë Edi Ramës se nuk duhet kurrsesi të dalë mbi ligjin, e kanë ftuar më se një herë, për të hequr dorë nga bojkoti dhe pretendimi për “hapje kutish”.
Po të ketë durimin Edi Rama që të ndërtojë “marrëdhënie të ngrohta” me gjithë këtë “bazë ligjore” të pasur për zgjedhjet, do të arrijë të kuptojë se, Kodi Zgjedhor, Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit, vendimet e KQZ-së, sidomos pas ankimimeve të PS-së, por edhe vendimi më i fundit i Prokurorisë së Rrethit të Shkodrës, të “skalitura” të gjitha, të zeza mbi të bardhë, ia kanë dhënë të gjitha mundësitë Edi Ramës dhe PS-së, për ankimin në institucionet e parashikuara me ligj, prej të cilave, ai prej më se një viti e gjysmë këmbëngul për shkeljen e gjithë kësaj “baze ligjore”, “bazë” që ka certifikuar humbjen e tij...
Gjithë kjo “bazë ligjore”, është shumë për tu shkelur...
... Këtë Edi Rama duhet ta ketë të qartë...

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›