E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtina dhe Beogradi marrin draftin e marrëveshjeve

Prishtina dhe Beogradi kanë marrë draftin e parë të propozimit nga Bashkimi Evropian rreth përmbajtjes së protokollit teknik për marrëveshjen e arritur ditë më parë në Bruksel për menaxhimin e integruar të pikëkalimeve. Ky protokoll, i cili pritet t`i hapë rrugë implementimit të kësaj marrëveshjeje pritet të nënshkruhet shumë shpejt.

Këtë gjë e ka konfirmuar për “Zërin” këshilltari politik i zëvendëskryeministres Edita Tahiri, Dren Zeka. Sipas tij, ky protokoll nuk do të marrë shumë kohë që të nënshkruhet, në mënyrë që t`i hapet rrugë implementimit të marrëveshjes së arritur.

“Tashmë jemi në fazën e përpilimit të komenteve pas draftit të marrë nga Bashkimi Evropian dhe pas dërgimit të komenteve nga ana jonë dhe nga ana e Serbisë besoj që shumë shpejt do të krijohen kushtet për t`u implementuar marrëveshja”, ka thënë Zeka.

Ai ka konfirmuar ndërkaq, se edhe për marrëveshjet tjera që janë arritur ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, grupet e punës të të dyja vendeve janë duke punuar në mënyrë të përcaktimit të modaliteteve të tyre, për implementimin e marrëveshjeve.
 

Marrëveshja për njohjen e diplomave është arritur më 2 korrik të këtij viti, ndërsa është finalizuar më 22 nëntor dhe sipas Zekës të dyja palët janë pajtuar që certifikimi i diplomave të bëhet nga Asociacioni i Universiteteve Evropiane.
 

Marrëveshja për regjistrat civilë dhe ajo për vulat doganore sipas tij, kanë filluar të zbatohen, ndërsa Prishtina zyrtare sipas tij i ka bërë të gjitha përgatitjet dhe është e gatshme që më 26 dhjetor të fillojë të zbatojë edhe marrëveshjen për lëvizje të lirë.
 

Por, më e komplikuara deri tani, duket të jetë implementimi I marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të kufijve, marrëveshje kjo e arritur në raundin e fundit që është mbajtur në Bruksel, raund i cili ka zgjatur për tre ditë me radhë.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›