Prishtina me festival të luleve

Hapjen e Festivalit të Luleve të premten e ka bërë kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa.
“Kemi dalë ta hapim Festivalin e Luleve në Prishtinë. Është një ditë të cilën ne po mundohemi ta kultivojmë çdo vit varësisht nga moti që e kemi. Dëshirojmë ta kultivojmë kulturën e luleve se kemi pak hapësira të gjelbëruara, kemi pak kopshte të rregulluara të shtëpitë private, dhe tek shkollat dhe institucionet publike”, tha Mustafa.
Kryetari Mustafa tha se dëshirojnë që përmes prezencës së luleve në kryeqytet të kultivojmë nevojën tek qytetarët që më shumë të kemi lule, hapësira të gjelbëruara, zbukuruara me lule, që ata t’i kultivojnë në të gjitha mjediset tona, dhe po ashtu të përkrahim prodhuesit bujqësor, dhe ata që merren me kultivimin dhe mbjelljen e luleve, përmes formave të ndryshme.
“Ne do të bëjmë përpjekje që edhe përmes donacioneve të ndryshme që i kemi në komunë t’i përkrahim ata por edhe përmes hapësirës që lulet e tyre ti prezantojnë dhe ti shesin këtu në qendër të Prishtinës”, tha kryetari Mustafa.