“Kosova thërret” për njohje nga pesëshja

Po ashtu, fusnota është cilësuar si një lehtësim për Kosovën që të ketë qasje dhe të nënshkruajë marrëveshje me Bashkimin Evropian, e pse jo edhe me mekanizma të tjerë të rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës. Këto janë vetëm disa nga ato që u thanë në konferencën njëditore të mbajtur të premten në Prishtinë me temën “Kosova thërret”, e organizuar nga fondacioni për shoqëri të hapur “Soros” në bashkëpunim me Këshillim Britanik në Kosovë, i mbështetur nga Ambasada Britanike dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.
Kjo konferencë ndërkombëtare për Kosovën, BE-në dhe rajonin dhe për promovimin e marrëdhënieve në mes tyre ka mbledhur në Prishtinë krerë të lartë vendorë dhe ndërkombëtarë të akredituar në Kosovë për të diskutuar rreth kësaj çështjeje.
Me këtë rast, ambasadori i Britanisë në Kosovë, Jan Cliff, duke folur për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet e BE-së dhe të dy shteteve nga Ballkani (Serbisë dhe Bosnjës), ka thënë se një gjë e tillë ndoshta nuk pritet të ndodh së shpejti, por ka shtuar se ajo çka duhet të bëjë Kosova është që të krijojë marrëdhënie individualisht me këto shtete, veç e veç.
“Njohja nuk do të ndodh së shpejti. Do të thosha, në rastin e asnjërit prej këtyre shtatë shteteve. Mirëpo, pesë vendet në BE nuk janë një bllok kundër Kosovës, por kanë arritur qëndrimin për mosnjohje, që thotë edhe ky vëllim, nga qëndrime dhe këndvështrime të ndryshme dhe mendoj se ajo që mund të bëjë Kosova është që të krijojë marrëdhënie të reja individuale me këto shtatë vende”, ka thënë ai.
Ai beson se çështja e fusnotës së Kosovës do të jetë një lehtësim për arritjen a marrëveshjeve me Bashkimin Evropian dhe me organizatat e ndryshme, qoftë politike apo edhe ekonomike. Gjithashtu, ai ka thënë se shteti i tij e ka shprehur qartë se e mbështet pavarësinë e Kosovës dhe është i gatshme ta ndihmojë atë në proceset që ajo po kalon dhe do të kalojë.
Ndërsa përfaqësuesi i BE-së dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, ka përmendur të arriturat që i ka pasur Kosova për t’u përafruar më shumë drejt BE-së. Gjithashtu, ai ka thënë se misionet e BE-së në Kosovë janë për ta ndihmuar Kosovën në këtë drejtim.
“Thelbi i asaj që ne bëjmë këtu si BE është të kemi një Kosovë evropiane ose një Kosovë më shumë evropiane që lëvizë ngadalë drejt Evropës. Për këtë arsye tani shohim një Evropë më të fortë duke u takuar këtu, duke pasur një përfaqësim dhe të gjitha projektet e përqendruara në çështjet që duhet të ndryshojnë, të lëvizin në Kosovë. Çdo gjë që bëjmë është për të modernizuar Kosovën, për të zhvilluar shoqërinë e cila ende është duke u përballuar me disa probleme. Ne jemi këtu për të ndihmuar, jemi këtu për të punuar me ju për të pasur Kosovën evropiane që ne dëshirojmë ta shohim një ditë”, ka thënë ai.
Mirëpo, Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se pesëshja që nuk e ka njohur Kosovës nuk është një bllok dhe, sipas tij, mosnjohja prej tyre ka të bëjë më shumë me politikën e brendshme të atyre shteteve sesa për shkak të politikës së jashtme.
“Këto pesë vende nuk janë bllok. Në asnjë formë nuk duhet të kuptohen si bllok. Nuk janë as bllok kundër pavarësisë së Kosovës dhe nëse e them në një formë më të sinsifikuar, arsyet janë të politikës së brendshme, arsyet nuk janë të politikës së jashtme. Mirëpo, pas marrjes së vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të gjitha këto vende nuk kanë ndonjë argument të fuqishëm legal që ta shtyjnë njohjen e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se rruga drejt BE-së duhet të jetë rrugë e qartë dhe qartësia e kësaj rruge është e lidhur edhe me njohjen e vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Ai ka shtuar se edhe shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën kanë qëndrime pro integruese për Kosovën dhe këtë e dëshmon fakti që disa shtete kanë votuar për anëtarësimin e Kosovës në disa mekanizma ekonomikë evropian e botërorë.
Ndërkaq, Ministrja për Integrime Evropiane e Kosovës, Vlora Çitaku, ka tërhequr vërejtjen se politika kosovare duhet të ketë qasje të veçantë për secilin shtet që nuk e ka njohur pavarësinë e saj.
“E vërteta është se secili nga këto shtete është i veçantë dhe ka arsyet e veta, shpesh të politikës së brendshme dhe për secilën duhet të kemi një qasje të veçantë, sepse nuk janë një grup i përbashkët, të themi në thonjëza, antikosovar për interesa specifike apo të përbashkëta. Ky libër dhe kjo konferencë na ndihmon që në një botim të kemi pejsazhin e tërë të pesë shteteve jo njohëse nga BE-ja dhe dy nga Ballkani”, ka thënë ajo.
Ajo më tej ka përmendur të arriturat e Kosovës, siç është nisja e studimit të fizibilitetit, pastaj nisja e dialogut me Serbinë.
Çitaku, po ashtu, ka thënë se Kosova është shtet i pavarur dhe nuk është shtet i dështuar, siç po e prezantojnë qarqet propagandistike serbe, por është një shtet në rritje e sipër.
Pas të gjitha këtyre deklarimeve, konferenca në pjesën e dytë të saj ka qenë e mbyllur për media, në të cilën i kanë paraqitur argumentet dhe arsyetimet për mosnjohje, hulumtuesit që vinin nga vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Republikën e Kosovës ende nuk e kanë njohur pesë vendet e Bashkimit Evropian, dhe dy vende nga Ballkani, Serbia dhe Bonja. Deri më tani, mosnjohja e këtyre shteteve Kosovës i ka shkaktuar probleme të mëdha për qasje në mekanizmat evropianë dhe botërorë. /kosovapress/