E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtina ndalon përdorimin e ndërtesave pa certifikim, gjoba dhe mbyllje për shkelësit

PRISHTINË, 3 gusht/ATSH/ Drejtoria e Inspektoratit e Komunës së Prishtinës ka njoftuar se asnjë objekt nuk do të lejohet të vihet në përdorim pa përfunduar Inspektimin Final dhe pa u pajisur me Certifikatën e Përdorimit, duke theksuar se masa synon mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe sigurisë së qytetarëve.

Sipas njoftimit, ky detyrim vlen për objektet individuale dhe kolektive të banimit, ndërtesat banesore-afariste, objektet afariste, industriale, publike, si dhe për të gjitha objektet e kategorisë së parë dhe të dytë që janë në kompetencë të Inspektoratit të Ndërtimit të Kryeqytetit.

Komuna thekson se në përputhje me Ligjin për Ndërtim, një objekt mund të përdoret vetëm pasi organi kompetent të kryejë Inspektimin Final dhe të lëshojë Certifikatën e Përdorimit, e cila dëshmon se objekti është ndërtuar sipas lejes ndërtimore, projektit të miratuar dhe standardeve të sigurisë.

Inspektorati ka bërë të ditur se investitorët do të njoftohen individualisht, përmes urdhëresave inspektuese, se nuk guxojnë të dorëzojnë banesa, lokale apo hapësira të tjera për përdorim dhe as të lejojnë vendosjen e banorëve apo fillimin e aktiviteteve ekonomike para përfundimit të procedurave ligjore.

Komuna paralajmëron se ndaj shkelësve do të ndërmerren masa ligjore, duke përfshirë ndërprerjen e menjëhershme të përdorimit të objektit, urdhërimin për lirimin e tij, shqiptimin e gjobave administrative, inicimin e procedurave të tjera ligjore dhe ekzekutimin e masave inspektuese në rast të mosrespektimit të urdhrave.

/KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›