E Martë, 3 Nëntor 2026

Prishtina nderon Rita Orën – Këngëtarja me famë botërore u nderua me “Çelësin e Qytetit”

Presidentja Vjosa Osmani organizoi një pritje të posaçme për këngëtaren nga Kosova me famë botërore Rita Ora. E para e shtetit mblodhi në Prishtinë personalitete nga politika, kultura dhe sporti. Osmani ka postuar disa fotografi, ku ka shkruar se pas sukseseve të Ritës sytë e botës u kthyen nga Kosova, ndërsa vetë këngëtarja u ngjit lart e më lart në skenat muzikore të mbarë botës.

“Në prag të Ditës së Flamurit, bashkë me miq dhe disa nga artistët më të suksesshëm nga Kosova, festuam arritjet e panumërta globale të Rita Orës dhe të shqiptarëve kudo që janë, duke uruar që arritjet e tyre të vazhdojnë të shërbejnë si frymëzim për gjeneratat e reja”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Ndërsa kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama i dhuroi Rita Orës “Çelësin e Qytetit”. “Fantastikë Rita Ora dhe Taika Uajtiti, ishte kënaqësi t’ju kishim në Prishtinë.

Në emër të kryeqytetit, i dhuruam “Çelësin e Qytetit” për emocionet e veçanta që na dhuron dhe përfaqësimin dinjitoz në mbarë botën” ka shkruar ai në rrjetin social.

Më herët këngëtarja shqiptare dhe bashkëshorti i saj Taika Uajtiti u pritën edhe nga kryeministri Albin Kurti. Kreu i qeverisë vlerësoi sukseset e artistes nga Kosova në skenat botërore. Rita Ora zgjodhi të vizitojë Kosovën në datëlindjen e saj të 33-të.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›