E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina rikthen ikonën

Kampioni aktual Prishtina e ka rikthyer ikonën e vet, Afrim Tovërlanin, në krye të shtabit teknik, pozitë e lënë bosh nga Ejup Mehmeti. Strategu prishtinas është i lumtur që gjatë tri viteve të ardhshme do t’i prijë skuadrës, fanellën e së cilës e kishte bartur rreth 24 vjet si futbollist. Tani Tovërlani me ‘shtëpinë’ e tij synon të korrë suksese të reja, pas atyre të edicioneve 2007/08 dhe 2008/09.

Kampioni aktual i Kosovës, Prishtina të mërkurën e ka zgjedhur pasardhësin e Ejup Mehmetit – Kapitit, i cili javën e kaluar dha dorëheqje nga posti i trajnerit.

Ashtu siç është paralajmëruar, bardhekaltrit në krye të shtabit teknik e kanë rikthyer strategun e njohur Afrim Tovërlani, i cili më moti për dy vjet rresht i kishte fituar me këtë skuadër dy tituj të kampionit dhe një Superkupë të Kosovës.

Lajmi është konfirmuar nëpërmjet një komunikate të lëshuar për media nga ana e klubit më të suksesshëm kosovar.

“Pas një debati të zhvilluar në bord është propozuar dhe vendosur që Afrim Tovërlani ta udhëheqë ekipin si trajner nga dita e enjte. Ky është vendim unanim i bordit. Afrim Tovërlani është trajner i mirënjohur, i cili edhe më herët kontribuoi në udhëheqjen e Prishtinës. I njëjti do ta udhëheqë ekipin drejt sukseseve të reja”, thuhet në komunikatën e Prishtinës, në të cilën nuk është sqaruar se për sa kohë kjo detyrë i është besuar ikonës së këtij klubi.

Por, këtë e sqaron vetë Tovërlani. “Posti i trajnerit më është besuar për tri vjet e gjysmë, ngase unë dhe klubi jemi të interesuar të punojmë për një afat më të gjatë, sepse ashtu arrihen më lehtë dhe më shumë suksese”, deklaroi Tovërlani për Express, i cili shpreh gëzimin e tij që iu rikthye skuadrës për të cilën kishte luajtur prej vitit 1979 deri më 2003, kur i dha fund karrierës si futbollist aktiv.

“Po ndihem mirë që po kthehem në shtëpinë time, ku e kam kaluar pjesën më të madhe të jetës. E falënderoj bordin për besimin, ‘Plisat’ dhe qytetarët e Prishtinës që ditëve të fundit e shprehnin me të madhe dëshirën e tyre që unë t’i kthehem ekipit të tyre dhe timit. Kjo më obligon që me përgjegjësi të jashtëzakonshme të punoj drejt arritjes së sukseseve”, theksoi Tovërlani.

“Andaj, nuk do më interesojnë emra apo mosha e futbollistëve, por me më meritorët dhe me më të mirët bashkërisht do t’i kërkojmë sukseset. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm se i pret një punë serioze, por bashkërisht ju premtoj se do t’ia dalim mbanë”, potencoi Tovërlani i cili në edicionet 2007/08 dhe 2008/09 e kishte shpallur Prishtinës kampione, të cilën njëkohësisht e kishte stolisur edhe me një Superkupë.

Madje, në atë kohë ai nuk kishte pësuar disfatë rrafsh në 20 ndeshje, edhe atë dhjetë rresht prej tyre i kishte fituar duke e thyer çdo rekord. Kurse, si futbollist, fanellën bardh e kaltër e kishte veshur rreth 1 mijë herë. Kështu, ai quhet edhe ikonë e Prishtinës, pjesë e së cilës nuk ishte vetëm gjashtë muaj kur ishte i huazuar në Flamurtar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›