E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtinë: Dënohet me 18 vjet burg Fahredin Gashi

Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka dënuar me 18 vjet burg Fahredin Gashin, nën akuzat për vrasjen e Salih Gashit, më 15 qershor 1999, në fshatin Varigovc të Lipjanit.

Me 6 muaj burgim me kusht është dënuar Hysri Rama, për veprën penale të dhënies së ndihmës kryerësit, pas kryerjes së veprës penale.

Lajmi u bë i ditur nga njëri prej avokatëve të Gashit, Tahir Rrecaj.

Aktakuza ndaj Gashit u ngrit pas dëshmive publike të Nazim Bllacës, i cili pat pranuar se ka marrë pjesë në vrasje dhe krime tjera, që sipas tij ishin të urdhëruara nga SHIK-u.

Avokati Rrecaj ka thënë se vendimi i gjykatës do të apelohet në shkallën e dytë.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›