Prishtinë: Komuna ndau makina mjelëse për 107 fermerë

Kryetari i komunës së Prishtinës Isa Mustafa me bashkëpunëtorë sot ka marrë pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së makinave mjelëse për 107 fermerë të kësaj komune.Me këtë rast Mustafa tha se komuna e Prishtinës, vazhdimisht po bënë përpjekje që t’u vijë në ndihmë fermerëve të kësaj komune, me qëllim që prodhimtaria vendore të shënoj rritje. “Në përgjithësi ne sivjet kemi ndarë rreth 350 mijë euro subvencione për ta ndihmuar bujqësinë, blegtorinë, dhe pemëtarinë. Nëse do të ketë nevojë ne përsëri me rishikimin e buxhetit do ti japim prioritet bujqësisë dhe blegtorisë”, tha me këtë rast Mustafa.
Mustafa tha se përmes këtyre subvencioneve komuna si institucion dëshiron që të nxit fermerët e komunës së Prishtinës që të rrisin prodhimtarinë vendore .” Me këtë dëshirojmë të stimulojmë prodhimin e qumështit pasi edhe si komunë por në përgjithësi në Kosovë nuk kemi prodhimtari të mjaftueshme, dhe duke ndihmuar fermerët, ne po ndihmojmë edhe hapjen e vendeve të reja të punës pasi që njerëzit krijojnë të ardhura nga përdorimi jo vetëm i këtyre makinave, por edhe duke u angazhuar në bujqësi dhe blegtori”
Shpërndarja e këtyre pajisjeve është bërë në fshatin Suteskë. Vlera e tenderit për shpërndarjen e makinave mjelëse është rreth 26 mijë euro. Ky është viti i dytë që komuna e Prishtinës bënë shpërndarjen e makinave mjelëse për fermerët që kanë mbi tri gjedhe qumështore. Vitin e parë komuna e Prishtinës pati ndarë makina mjelëse për 160 përfitues./Indeksonline/