E Shtunë, 31 Tetor 2026

Priteni Guardiolën

Pep Guardiola nuk ka ndërmend të ndërrojë mendjen. Ai insiston se do të pushojë së paku për një vit nga futbolli. Ish strategu i Barcelonës thotë se do të kthehet vetëm atëherë kur të ndihet i gatshëm. Ai zbulon sekretin e suksesit që gëzoi në Nou Camp derisa thekson se talenti i Lionel Messit nuk mund të përshkruhet me fjalë.

Kur u largua nga Barcelona në fund të sezonit të kaluar kishte paralajmëruar se dëshiron të pushojë për së paku një vit. Sot, Pep Guardiola nuk ka ndërmend të ndryshojë planin fillestar. Ai është shprehur se do ti rikthehet postit të trajnerit atëherë kur të ndihet gati.

“Nuk e di se kur do të kthehem, pasi kam thënë se nuk do të jem trajner këtë vit. Do të kthehem kur të ndihem gati. Për momentin nuk e ndjej”, deklaroi Guardiola në një forum të organizuar nga Fundacion Telmex, pronë e magnatit Carlos Slim.

Ai foli para një audience në Mexico City në ngjarjen e titulluar Mexico XXI Centure. Guardiola nuk përjashtoi mundësinë që një ditë të drejtojë përfaqësuesen e Spanjës.

“Kurrë nuk i dihet. Por, ndihem mirë në New York dhe do të qëndroj këtu për një vit”, shtoi ai. Guardiola i cili luajti për gjashtë muaj në futbollin meksikan me Dorados më 2006, insistoi se ishte kënaqur gjatë periudhës katërvjeqare sa drejtoi Barcelonën por pranoi se i mungoi motivimi në fund të aventurës.

“Kurrë nuk kam menduar se pasi u emërova trajner i Barcelonës do të qëndroja aty për një jetë, por ishte një aventurë gjatë së cilës gjërat shkuan shumë mirë për mua. Por, kohës kur isha i mërzitur pasi kishim humbur, dhe i lumtur pas fitoreve i erdhi fundi. E humba atë ndjenjë dhe pas kësaj vendosa të largohem”, u shpreh ish kapiteni i Barcelonës.

Me 14 tituj në drejtim të gjigantit katalan, Guardiola tregoi sekretet e suksesit të skuadrës së tij dhe shpjegoi se si sporti i ndihmoi të kuptonte jetën.

“Të gjithëve u pëlqen të luajnë futboll, ky është sekreti i Barcelonës. Kur ju bëni diçka që ju pëlqen, atëherë të gjitha tjerat janë të parëndësishme. Futbollistët erdhën në stërvitje dhe dëshirat e tyre u futën në praktikë. Kjo ishte ideja e punës dhe mënyra e ekzekutimit të saj. Ishte ndjenjë e mirë për mua që solla gëzim te tifozët. Ata u kënaqën duke na shikuar duke luajtur futboll dhe thjesht kam përcjell traditën e Barcelonës që kishte filluar me Johan Cruyffin. Po ashtu duhet pranuar se kisha një grup fantastik të futbollistëve”, vazhdoi ai.

41 vjeçari u pyet për Lionel Messin. “Çka do që them për Messin nuk do të mjaftonte. Përveç talentit të tij ai ka një shpirt garues dhe është shembull e punës së përditshme. Atij i pëlqen të luajë dhe i pëlqen të fitojë”, përfundoi Guardiola.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›