Letra e Fergusonit
Sir Alex Ferguson ka shkruar një letër për tifozët e Manchester Unitedit që do të përcjellin nga stadiumi ndeshjen e së dielës kundër Liverpoolit. Ai ka përkuar prej tyre që rivaliteti mes skuadrave të mos shndërrohet në “urrejtje personale”.
Përballja do të jetë dueli i parë i Liverpoolit në Anfield Road pas publikimit të raportit të panelit të pavarur hetues të tragjedisë së Hillsborough që shfajësoi përkrahësit e klubit për atë që ndodhi. Tifozët nga Old Trafford u kritikuan pas fitores ndaj Wigan Athletic fundjavën e shkuar për brohoritje kundër Liverpoolit në javën e publikimit të raportit të Hillsborough.
Letra e strategut skocez do ti jepet secilit tifoz të Unitedit që do të hyjë në Anfield. Në të cilën thuhet: “Klubi jonë takohet me fqinjin e madh, Liverpoolin”. Ferguson dhe një numër i madh i grupeve përkrahësish të Unitedit kanë publikuar komunikata gjatë javës duke u shprehur kundër brohoritjeve në referim të tragjedisë së Hillsborough.
Letra e plotë:
“Tifoz i dashur. Përkrahja e mrekullueshme që i ke dhënë ekipit këtu sezonin e kaluar, është përcjell me mbulimin e plotë të nivelit të tifozëve mysafir. Dua që ti të vazhdosh atë avancim sot. Por, sot është me rëndësi edhe të mos shkaktosh telashe.
Sot, ka rëndësi të mendosh mirë rreth asaj që e bën Unitedin të jetë klubi më i mirë në botë. Rivaliteti ynë me Liverpoolin është i bazuar në garë për të dalë në krye, dëshirë që ne të kurorëzohemi si më të mirët kundër një ekipi që ka mbajtur nderin për një kohë të gjatë. Ajo kurrë nuk duhet të bazohet në urrejtje personale.
Vetëm dhjetë ditë më parë, ne dëgjuam një të vërtetë të tmerrshme për vdekjen e 96 tifozëve që shkuan për të përcjell ekipin e tyre, arritën në finale të FA Cup dhe nuk u kthyen më kurrë. Ajo që i ndodhi atyre duhet të shtoj ndërgjegjen e të gjithëve në këtë duel.
Klubi ynë i madh qëndron pranë fqinjit të mrekullueshëm Liverpool në përkujtim të atyre që humbën jetën dhe i përkrahim në fushatën e tyre për drejtësi. E di se mund të llogaris tek ti që do të përcjellësh traditën e tifozëve më të mirë të futbollit. I juaji sinqerisht, Sir Alex Ferguson”.
Rodgers pret ndeshje paqësore
Menaxheri i Liverpoolit, Brendan Rodgers është optimist se dueli me Manchester Unitedin dot kalojë pa incidente jashtë fushës.
“Ka pasur dialog gjatë javës. Ekziston respekti sa i përket traditës mes të dyja klubeve. Ne duam që kjo ditë të kujtohet për arsye të drejta. Jam i sigurt se pasi të shprehim nderimet tona për familjarët e viktimave, ne mund të fillojmë të luajmë futboll. Shumë punë është bërë dhe shpresojmë që e diela do të jetë paqësore dhe ne do të jemi në gjendje të flasim për nderime dhe futboll”, deklaroi Rodgers në konferencë për shtyp para ndeshjes.