Pritet vendimi i serbëve të Kosovës për pjesëmarrje në zgjedhje
Liderët serbë në pjesën veriore të Kosovës, pas takimit me udhëheqësit shtetërorë serbë në Beograd, deklaruan se në ditët në vijim do të vendoset për pjesëmarrjen e tyre në lidhje me zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 3 nëntor.
Vendimi do të merret pas konsultimeve me përfaqësues të serbëve që jetojnë në veri të lumit Ibër dhe atyre në Beograd.
Njëri nga udhëheqësit e serbëve të veriut të Mitrovicës, Milan Ivanovic, tha se në Beograd është theksuar nevoja për një pikëpamje të përbashkët lidhur me zgjedhjet.
Nga ana tjetër, Randjell Nojkic, njëri nga përfaqësuesit e serbëve në Komunën e Graçanicës, tha se deklaratat e tilla tregojnë se diçka e rëndësishme po ndodh. Ai shtoi se deri në javën e ardhshme do të merret vendimi, duke mbështetur idenë që në këto zgjedhje serbët në veri të dalin me një listë të përbashkët.
Ndërsa, ish-sekretari shtetëror për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanovic, tha se është dakort që duhet të ketë një qasje të përbashkët për problemin e serbëve, në kuptimin e asaj që të gjithë ta pranojnë qëndrimin e Qeverisë serbe dhe të angazhohen për një listë me njerëzit më me kredibilitet.
Serbëve të veriut, një ditë më parë u është thënë që mos të presin inkurajim për të bojkotuar eventualisht procesin e zgjedhjeve, por që Qeveria në Serbi do të qëndrojë me popullin e saj në Kosovë, pa marrë parasysh se çfarë vendimi merret. Lidhur me këtë, Ivanovic thekson se Beogradi nuk e ka dërguar mesazhin e qartë te popullata serbe në Kosovë për dalje në zgjedhje.
“Me keqardhje dua ta konstatoj që Serbia sistematikisht e ka pamundësuar formimin e një elite autoktone dhe autonome politike serbe në Kosovë. Ky fakt është i pakundërshtueshëm. Për këtë arsye serbët e Kosovës nuk janë në gjendje që të marrin vendime të rëndësishme. Domethënë, nuk është mirë, nuk është e drejtë dhe nuk është korrekte të nxiten të marrin vendime tërësisht në mënyrë të pavarur, tha Ivanovic.
Ndërkohë, serbët që janë pjesë e Qeverisë së Kosovës që nga fillimi kanë kundërshtuar listën e përbashkët. Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, tha se është e rëndësishme që të ketë sa më shumë faktorë politikë për zgjedhjet e ardhshme.
Është e sigurt që paralajmërimi i të ashtuquajturës listë ndoshta nuk është kundër demokracisë, por është në kundërshtim më arsyen e shëndoshë, sepse kjo nuk është çështje e referendumit. Këto janë zgjedhje lokale të cilat merren me çështje lokale, theksoi Petrovic.