E Shtunë, 31 Tetor 2026

Egjipti, Këshilli i Sigurimit bën thirrje për vetëpërmbajtje

Këshilli i Sigurisë së OKB-së u mblodh në një sesion emergjence me dyer të mbyllura, në New York, për të diskutuar mbi dhunën në Egjipt. Në fund të tij u konkludua për t’i bërë thirrje të gjitha partive në Egjipt të vetëpërmbaheshin.

Ky takim vjen një ditë pasi të paktën 638 persona mbetën të vdekur, kur forcat e sigurisë bastisën kampet e protestuesve të mbledhur në Kajro, të thirrur nga Vllazëria Muslimane prej javësh, të cilët kërkonin rikthimin e presidentit Mohammed Morsi në krye të shtetit, pas rrëzimit nga ushtria në korrik.

Pavarësisht thirrjeve të jashtme për të ulur tensionet, Gehad El-Haddad, një zëdhënës i Vllazërisë Muslimane, shkroi në Twitter për fillimin e protestave anti-qeveritare, nga të gjitha xhamitë në Kajro, për t’u mbledhur në një miting masiv në sheshin Ramses, në qendër të kryeqytetit. Ai e quajti atë që do të vijë në vijim si E premtja e zemëratës.

Egjipti ndodhet aktualisht në gjendje të jashtëzakonshme emergjence. Ministri i Brendshëm i dha policisë autorizim për të përdorur municione reale për vetëmbrojtje, apo kur ndesheshin me sulme ndaj ndërtesave të qeverisë.

Shumë zona janë prekur anembanë vendit nga patrullimet policore. Ndërkohë që SHBA-të kanë paralajmëruar shtetasit e tyre të mos udhëtojnë në Egjipt, ndërsa ata që ndodhen atje duhet të largohen sa më parë.

Në dhunën e fundit të së enjtes, qindra anëtarë të Vllazërisë i vunë zjarrin një ndërtese qeveritare pranë Kajros. Pamjet e televizioneve lokale treguan zjarrëfikësit duke nxjerrë punonjësit nga ndërtesa, ku gjenden zyrat e qeverisë lokale të Gizas.

Televizioni shtetëror, Nile News, raportoi gjithashtu përplasje mes anëtarëve të Vllazërisë dhe rezidentëve në një periferi të qytetit të dytë më të madh të Egjiptit, Aleksandri. 7 ushtarë egjiptianë janë qëlluar për vdekje nga një i armatosur ende i paidentifikuar, pranë qytetit të El Arish, në rajonin Sinai, sipas forcave të sigurisë.

Qeveria njoftoi se 638 njerëz kanë vdekur në të gjithë vendin, që prej së mërkurës, por numri përfundimtar i viktimave mund të jetë shumë herë më i madh.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›