Pritje madhështore për Papën në Meksikë

Calderon deklaroi se vizita e atit të shenjtë ka një rëndësi të madhe për Meksikën, vend që vuan nga lufta e ashpër e drogës.
Në një podium të ngritur posaçërisht në ambientet e aeroportit, Ati i shenjtë bëri edhe një bekim të shkurtër. Ndërkohë, turma brohoriste në Guanahuato dhe adhuruesit e tij thoshin: “Benedict, vëlla, tani ti je meksikan”.
Përpara mbërritjes së tij, duke iu referuar luftës kundër drogës, Papa deklaroi se është e rëndësishme “që kjo e keqe të luftohet” dhe u bëri thirrje të rinjve që të heqin dorë nga droga.
Pas Meksikës ai do të udhëtojë në Kubë, vend në lidhje me të cilin tha se Marksizmi nuk funksionon më. Papa u shpreh se kjo ideologji nuk përputhet më me realitetin dhe bëri thirrje për gjetjen e “një mënyre të re”.
Ndër të tjera, ai bëri të qartë se Kisha është gjithmonë në anën e lirisë së mendimit dhe besimit dhe se ajo nuk është një pushtet apo një parti politike.