Myslimanët në Tuolouse dënojnë veprën e Merahut

7 vrasjet e kryera nga 23 vjeçari nuk ishin vepër e një myslimani të denje, thotë njëri prej tyre, Said Negra.
“Nuk është mysliman ai që ka bërë një gjë të tillë. Nuk mund të jetë. I gjithë komuniteti ynë këtu është i indinjuar nga ajo çfarë ndodhi”, shton Negra.
Në radhët e këtyre njerëzve, ekziston dhe droja se gjatë fushatës elektorale mund të ketë tundime që episodi i Toulousës të përdoret për përfitime politike.
Mellouki Abdelatif, përfaqësues i komunitetit mysliman në Toulouse, thotë: “Francezët duhet të qëndrojnë të bashkuar në këto momente. Dua t’i drejtoj një thirrje politikanëve dhe sidomos medies të mos e përdorin këtë ngjarje për të kënaqur interesat e njërit grup apo një tjetri”.
Në bllokun e apartamenteve ku jetonte 23 vjeçari Merah, banorët e evakuuar gjatë rrethimit kanë nisur të rikthehen në shtëpitë e tyre. Shenjat e plumbave nëpër mure janë më se të dukshme, e dëmet nga eksplozivet gjithashtu.