E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prizren, VV: Të rinjtë pa perspektivë

Lëvizja Vetëvendosje! në Prizren ka mbajtur të enjten një takim me maturantët. Në këtë takim me maturantët është diskutuar për problemet dhe sfidat e tyre, raporton PrizrenPress

Fisnik Ismaili nga Lëvizja Vetëvendosje! tha se nxënësit nuk kanë perspektivë në Kosovë. “Universiteti është i degraduar. Filloni fakultetin, i përfundoni studimet dhe në fund përfundoni në rrugë. Ne do të angazhohemi shumë seriozisht për zbatimin e alternativës tonë për arsimin”, tha Ismaili.

Ndërkaq, Shpend Ahmeti tha se gjendja e rëndë në sektorin e arsimit është si pasojë e gjendjes së rëndë ekonomike që mbretëron në Kosovë. “Rreth 50 për qind e qytetarëve jetojnë në varfëri, 300 mijë qytetarë jetojnë me nga 90 cent në ditë, kurse në anën tjetër zyrtarët e lartë kanë shtëpi me nga 2 mijë metra katrorë, para mijëra dhe qindra euro në xhirollogari të tyre gjë që vetem më rrogën e tyre nuk mund t’i bënin të gjitha këto. Prandaj në këto kushte ne nuk mund të presim një të ardhme më të mirë për të rinjtë tanë”, tha Ahmeti.

Suanita Bytyçi, nxënësja më e mirë në Komunën e Prizrenit për vitin 2013, tha se ka aderuar në Lëvizjen Vetëvendosje! pasi që ajo paraqet të vetmen alternativë serioze për rininë. “Rinia brenda Lëvizjes Vetëvendosje! nënkupton më shumë dinamikë, angazhim dhe qytetari aktive”, tha Bytyçi.

Kryetar i qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje! në Prizren, Arbër Rexhaj tha se në Prizren ka mungesë të theksuar të alternativës rinore.”Në Prizren kemi mungesë të alternativës rinore, dhe mungesë të vendeve të reja të punës për të rinjtë, të cilët po na mbesin në rrugë”, tha Rexhaj./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›