E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pr/ligji: Administrator dhe në pallatet e para ‘90

Tarifa e mirëmbajtjes për secilin banor ose bashkëpronar ende nuk është caktuar, por pritet që të përcaktohet bazuar në shpenzimet totale të administrimit. 

TIRANE- Çdo familje që jeton në ndërtesa, pallate të përbashkëta banimi, përfshi edhe ato që janë ndërtuar para viteve '90, do të paguajë për mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta. Tarifa e mirëmbajtjes për secilin banor ose bashkëpronar ende nuk është caktuar, por pritet që të përcaktohet bazuar në shpenzimet totale të administrimit. Ndërkohë projektligji i ri për administrimin e objekteve të banimit pritet të ketë vështirësi aplikimi për pallatet e vjetra, të cilat paraqesin një domosdoshmëri më të madhe mirëmbajtjeje, pasi ambientet e tyre të përbashkëta lënë shumë për të dëshiruar.
Me këtë pr/ligj nuk do të ketë pastrime apo mirëmbajtje individuale nga banorët në blloqet e banimit ku jetojnë, por në hyrje të çdo pallati do të ketë një administrator. Detyra e këtij të fundit do të jetë mirëmbajtja e ambienteve të përbashkëta, duke nisur nga gjelbërimi, pastrimi i shkallëve, sistemet elektrike apo hidraulike, ashensori, gjeneratori në rastet kur ka, garazhet, parkimet kolektive në oborret e lagjeve, kanalizimet, kolonat e shkarkimit, oxhakët, sistemet e gazit ose të formave të tjera të ngrohjes. Bërja e mundur e kësaj nisme të re, e propozuar nga Ministria e Transporteve më parë kërkon regjistrimin e administratorëve pranë zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ku ndodhet dhe ndërtesa e banimit. Më problematik pritet që të jetë administrimi i pallateve të vjetra, të cilat kanë më shumë nevojë për mirëmbajtje. Një pjesë e madhe e pallateve të ndërtuara dy dekada më parë, ambientet e përbashkëta i kanë në gjendje të mjeruar. Në bazë të draftit, organet e qeverisjes vendore mund të mbështesin bashkëpronarët me të ardhura të ulëta për financime, ose duke vënë në dispozicion personelin teknik.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›