E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Pr/ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, Tabaku: Gjobat deri në 10 mln euro, janë të larta

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja dhe deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku kanë debatuar sot në Kuvend mbi ndryshimet ligjore të propozuara nga qeveria në pr.ligjin “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.

Ndryshimet ligjore, të cilat parashikojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian, ndër të tjera parashikojnë dhe sanksione deri në 10 milionë euro.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku u shpreh se gjobat janë të larta. “Gjëja që unë kundërshtoj janë gjobat, janë të larta dhe na ndodh ajo që po ndodh sot vini dhe i falni. I vendosni dhe më pas i falni. Po nëse meraku juaj është mbrojtja e dhënave, çfarë ndodh nëse në fushatë elektorale në zgjedhje ngre të njëjtën databazë me të dhënat publike çfarë masash do të marrë Komisioneri, do t’i vendosë gjobë 10 milionë euro? Ligji nuk duhet të jetë vetëm në letër, por të zbatohet në praktikë”, nënvizoi Tabaku.

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, duke iu përgjigjur Tabakut, u shpreh se “ky pr/ligj është dhe një kërkesë e vazhdueshme e Komisionit Europian e cituar edhe në progresraporte”, tha Manja.

Ministri i Drejtësisë u shpreh se “projektligji ka shkuar katër herë për mendim në shërbimet e Komisionit Europian ka përsëritur që të mos preken sanksionet. që ju i quani të larta. Shteti ka marrë përsipër sanksione që shkojnë deri në 10 mln euro. Një barrë e tillë vlen edhe për sektorin privat”.

“Sa i përket zbatimit të ligjit, kapacitetet dhe kompetencat e Komisionerit do të duhet që të rriten, nëse kërkohet që ai të përballojë me efikasitet përgjegjësitë e reja që do të lindin nga miratimi i këtij ligji. Po ashtu, kërkohet ndërgjegjësim për mbrojtjen e të dhënave personale, që është ende në nivele të ulëta në institucione publike dhe për qytetarin”, nënvizoi Manja.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›