E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet, MASH mbyll shkollat

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka deklaruar se po ndjek situatën e krijuar pas përmbytjeve që kanë ndodhur në disa rrethe të vendit. Sipas zyrës së shtypit në MASH, është krijuar një Task - Forcë për këtë emergjencë, e cila zhvillon veprimtarinë në çdo kohë për të marrë informacion dhe për të dhënë zgjidhjet e duhura.


Në kompetencë të Drejtorive dhe Zyrave Arsimore, në bashkëpunim me njësitë e qeverisjes vendore, është menduar të vendoset për mbylljen e çdo shkolle, në varësi të situatave që krijohen, ndërkohë që paralelisht po hartohen edhe planet e zëvendësimit të orëve mësimore që humbasin për shkak të kësaj situate.


Aktualisht, në shkallë vendi nuk zhvillohet mësim në asnjë shkollë të rrethit të Shkodrës, përfshirë edhe Universitetin "Luigj Gurakuqi". Shkollat e zonave të papërmbytura, konviktet e shkollave profesionale dhe të Universitetit janë parashikuar si kapacitete rezervë për akomodimin e banorëve.


Shkolla të përmbytura për shkak të kushteve të rënduara atmosferike raportohen të jenë edhe në: Malësinë e Madhe: shkolla 9-vjeçare Vukel dhe Vermosh, për arsye të dëmtimit të urave, dhe shkolla 9-vjeçare Xhaj, të cilës i është dëmtuar çatia nga erërat e forta; Fushë-Krujë: në dy shkolla (9-vjeçare Nr. 1 dhe shkolla vartëse Verion); Dibër: vetëm në shkollën Zall Dardhë, për shkak të bllokimit të rrugës nga uji; Fier: në shkollën 9 - vjeçare Ferras, për shkak të bllokimit të rrugës nga uji i lumit Vjosa; Në Qarkun Tiranë: Shkolla në Bastar Murrizë, për shkak të dëmtimit të çatisë.


 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›