Problem teknik në sistemet e trafikut ajror, Albcontrol: 90% u rikthyen në funksion brenda 30 minutash

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Një problem teknik ka prekur sistemet e trafikut ajror rreth orës 17:30, ndërsa Albcontrol ka marrë masa të menjëhershme për garantimin e sigurisë së avionëve dhe vijimin normal të trafikut në hapësirën ajrore shqiptare.
Sipas njoftimit të Albcontrol, ekspertët e institucionit janë angazhuar për rikthimin e sistemeve në funksion, ndërsa rreth orës 18:00 është bërë e mundur rikthimi në funksionim normal i 90% të sistemeve.
“Ekspertët e Albcontrol kanë marrë të gjitha masat për të shmangur çdo rrezik për avionët në hapësirën ajrore dhe janë angazhuar për rikthimin e sistemeve në punë”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, vijon puna për rikuperimin e pjesës së mbetur të sistemeve.
Albcontrol thekson se falë reagimit në kohë dhe në mënyrë profesionale është shmangur bllokimi i trafikut ajror në hapësirën ajrore shqiptare.
/e.xh/a.f/