E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Probleme nga reshjet në Durrës, prefekti Jani: Monitorim i argjinaturave të lumenjve Erzen dhe Ishëm

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Durrësi është përfshirë sot nga reshje të dendura shiu, që kanë shkaktuar probleme në disa zona të caktuara të qytetit.

Prefekti i qarkut Durrës, Emiljan Jani së bashku me strukturat e Mbrojtjes Civile të Qarkut, janë në terren për t’u përballur me çdo situatë të krijuar nga këto reshje.

Strukturat e Mbrojtjes Civile janë të angazhuara maksimalisht në shërbim të qytetarëve. Autoriteti Portual Durrës, punonjësit e ndërmarrjeve të bashkisë Durrës, zjarrfikësit, Policia Bashkiake, janë në terren aty ku ka nevojë për ndërhyrje emergjente.

Situata në Hidrovor është normale dhe të gjitha ekipet janë në ndihmë të komunitetit për çdo problematikë.

Aktualisht problematika ka në rrugët: “Mbreti Gert”, “Hysen Kërtusha”, “Abaz Çelkupa”,

“Neki Libohova”, “Dalip Peza”, “Hysen Myshketa”, “Jahja Ballhysa”, “Vollga”, “Asti Gogoli”, “Mbreti i Arbërit”, “Jusuf Myzyri” dhe zonën pranë stadiumit në disa rrugë të plazhit dhe Shkozetit, tek Ura e Dajlanit, nënstacioni elektrik në Rrashbull, rruga hyrëse në Sukth dhe disa parcela bujqësore në këtë njësi, Kryqëzimi Koxhasit, nënkalimi Sallmone – Bashkia Shijak.

Sipas Prefekturës së Durrësit, Kruja deri tani nuk ka problem.

Ndërkohë që janë përmbytur këto rrugë: në Lagjen 14, rruga “Bajram Tusha”, “Asti Nushi”, “Asti Gogoli”. Në Lagjen 13, rruga “Pavarësia”, “Qafe Bote”, “Rrota e Kuqe”, “Mbreti Arbërit”, “Teofik Skilja”, “Jusuf Myzyri”.

Banesa të përmbytura ka në L. 14 Shkozet, rreth 40 banesa. Më problematike paraqitet situata në njësinë administrative 6, në akset kryesore dhe disa rrugë dytësore. Në zona të tjera të Sukthit dhe Katundit të Ri, ku ka përfunduar rehabilitimi i argjinaturave, situata është normale.

Aktualisht po punohet në të gjitha zonat ku ka probleme dhe sidomos për largimin e ujit nga banesat. Vijon kontrolli i vazhdueshëm i sistemeve të kanaleve kulluese dhe gjendjes funksionale të hidrovorëve, po monitorohet vazhdimisht argjinatura e lumenjve Erzen dhe Ishëm, digat e ujëmbledhësve dhe të shkarkuesve katastrofikë, si dhe janë në gatishmëri të gjitha kapacitetet logjistike dhe burimet njerëzore të forcave operacionale për përballimin e çdo situate të mundshme.

1 nga 5 /k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›