E Shtunë, 31 Tetor 2026

Problemet, i zgjidhin me komisione

Presidenti Fatmir Sejdiu dhe tre liderët e tjerë të vendeve të rajonit- Bamir Topi, Filip Vujanovic dhe Gjorge Ivanov kanë buzëqeshur para mediave gjatë vikendit të kaluar vetëm pasi janë dakorduar që çështjet e pazgjidhura që i kanë mes vete t’i rregullojnë duke bashkëpunuar.

Sejdiu ka rënë dakord me homologun e tij maqedonas që çështja e ekzistimit eventual të një varreze masive të shqiptarëve të Kosovës në territorin e Maqedonisë të trajtohet me formimin e një komisioni të përbashkët hetimor.

Zëdhënësi i Presidencës së Kosovës, Xhavit Beqiri ka deklaruar të hënën për Express se dy liderët kanë rënë dakord që në këtë ekip të përfshihen edhe mekanizma ndërkombëtarë që merren me personat e zhdukur.

“Presidenti Sejdiu e ka shtruar si çështje se mediat në Kosovë janë duke e përmendur se mund të ekzistojë ndonjë varrezë masive eventualisht me viktima të luftës ’98-‘99. Është kërkuar që me këtë të merren qeveritë, të formojnë komision që të hetojnë.

“Është në të mirën e të dyja vendeve të konstatohet a ka apo jo, në mënyrë që të mos ketë spekulime dhe tensione të panevojshme”, ka thënë ai.

“Presidenti Gjorge Ivanov është zotuar se do të kërkojë nga institucionet që të ketë hetime në bashkëpunim edhe me institucionet ndërkombëtare që merren me çështjen e të zhdukurve dhe të pagjeturve edhe është mirë që të dihet saktë se çfarë realisht ka, në mënyrë që të hiqen spekulimet e panevojshme”, ka shtuar Zëdhënësi i Presidentit të Kosovës.

Ai ka potencuar se Prishtina dhe Shkupi nuk kanë asnjë telashe mes vete. Sipas Beqirit, Presidenti i Maqedonisë ka përmendur shënimin e vijës kufitare mes dy vendeve si një dëshmi të bashkëpunimit të mirë.

“Sikur për të gjitha temat e tjera që është diskutuar hapur, Presidenti Sejdiu dhe Presidenti Ivanov janë zotuar se do të punojnë bashkërisht për të gjitha çështjet që të zgjidhin problemet. Si shembull është marrë çështja e demarkacionit dhe ku me një qasje dhe me një frymë të mirë bashkëpunimi, midis të dyja vendeve është arritur të zgjidhet edhe kjo çështje”.

Por dy vendet duhet të shikojnë nëse pohimet për ekzistimin e varrezës masive janë të vërteta.

“Është thënë se ka viktima shqiptare në vendet ku ka pasur strehime, pra njerëz që janë strehuar si refugjatë dhe kanë ndërruar jetë atje. Për këtë dihen, ka shënime të sakta. Por duket të jenë më shumë pohime mediale, mirëpo është mirë që dy vendet të formojnë ekip të përbashkët bashkë me institucionet ndërkombëtare që merren me këto punë edhe t’i evidentojnë saktë se çfarë ka, në mënyrë që mos të ketë spekulime, sepse kjo është çështje shumë e ndjeshme, duke pasur parasysh se ka shumë familje që ende nuk i kanë gjetur të afërmit e tyre, nuk kanë të dhëna për ta dhe kjo mund të krijojë gjendje të rënda emotive tek ata familjarë”, ka theksuar Beqiri.

Çështja e ekzistimit të varrezës është përmendur edhe në kontekst të një takimi mes Presidentit të Serbisë, Boris Tadic dhe atij maqedonas, Gjorgi Ivanov. Është njoftuar se Tadic ka kërkuar nga kolegu i tij maqedonas që të mos bëhet ndonjë hetim nga autoritetet e Shkupit në këtë fazë.

Beqiri thotë se Ivanov nuk e ka përmendur këtë gjatë takimit me Sejdiun.

“Presidenti Ivanov nuk e ka përmendur këtë çështje. Nuk di tash, politika që bëhet nën rrogoz, nuk mund ta paragjykojmë”, ka thënë ai.

Gjatë takimit të katër liderëve të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, Presidenti Fatmir Sejdiu dhe ai i Malit të Zi kanë biseduar për raportet mes Prishtinës dhe Podgoricës.

Presidenca e Kosovës nuk e sheh si problem faktin se dy vendet nuk kanë shkëmbyer akoma ambasadorë. Presidenti i Malit të Zi ka thënë se nuk do të nënshkruajë asgjë që mundëson shkëmbimin e ambasadorëve, derisa komuniteti malazez në Kosovë nuk njihet zyrtarisht nga Prishtina.

Xhavit Beqiri thotë se kjo temë do të zgjidhet shpejt.

“Presidenti Sejdiu ka kërkuar nga Qeveria që të iniciojë çështjen e komunitetit malazez në Kosovë, ta rregullojë me ligj dhe as këtu nuk ka asgjë kontestuese. Kosova do t’i trajtojë ata sikurse komunitetet e tjera pakicë. Marrëdhëniet diplomatike ekzistojnë, edhe çështja e ambasadorëve do të zgjidhet në kohë optimale. Këto nuk janë të ndërlidhura absolutisht, as të kushtëzuara”, ka thënë Beqiri.

Zëdhënësi Beqiri ka thënë se as shënimi i vijës kufitare nuk do të jetë ndonjë problem mes dy vendeve.

“Ekzistojnë kufijtë administrativë, të cilët janë kufij të njohur të dy vendeve. Kjo është teknike dhe do të zgjidhet besoj me një vullnet të mirë nga të dyja anët nga ndonjë komision i përbashkët, nuk është kontestuese. Të dyja palët eventualisht pronarët e tokave që i kanë nga të dyja anët e kufirit, qoftë nga Kosova, qoftë nga Mali i Zi, do të kenë qasje pa asnjë problem në pronat e veta. Do t’i shfrytëzojnë pronat e veta, kështu që nuk është asnjë telashe këtu”, ka thënë ai.

T: Nuk hyj në lojë me Tadicin
Presidenti Sejdiu ka thënë se nuk e kishte ftuar presidentin e Serbisë, Boris Tadic, në këtë takim, sepse nuk kishte dashur të bëhej, siç është shprehur ai, pjesë e lojës.
“T’ju them të drejtën, nuk e kam ftuar Presidentin Tadic”, ka thënë Sejdiu në një intervistë për BBC’në.

“Unë kam respektuar formatin e ndërtuar në Vlorë dhe në takimin e mëvonshëm në Ohër, edhe pse objektivisht presidenti malazez Filip Vujanovic ishte në mungesë. Nuk kam dashur të bëj ftesë në këtë kohë, për të mos u kuptuar si një pjesë e lojës”, ka shtuar Sejdiu.

Presidenti i Kosovës nuk ka përjashtuar mundësinë që pala kosovare të nisë komunikimet me Serbinë në të ardhmen.

“Unë nuk dua të vihem në lojë, pavarësisht se ne kemi raporte të atilla çfarë i kemi, domethënë nuk kemi komunikime, prandaj qasja jonë është shumë e sinqertë. Ne duam të besojmë se një ditë do të vijë koha kur do të kemi edhe komunikime të tilla, pra pjesëmarrje edhe të njërit edhe tjetrit, edhe në takime të niveleve të tjera rajonale”, ka theksuar ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›