Procedura të reja për lidhjen me rrjetin e ujësjellësit dhe të kanalizimeve në Tiranë

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Shoqëria “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” publikoi procedurat e reja që do të ndiqen nga qytetarët dhe subjektet juridike për lidhjen në rrjetin publik të ujësjellësit dhe pajisjen me akt kolaudimi.
Për subjektet juridike, të cilat janë ndërtues ose zhvillues, pjesa e projektit që përfshin tubacionin lidhës nga sistemi i brendshëm i objektit deri tek pika e lidhjes me rrjetin publik do të zbatohet nga vetë këto subjekte, duke respektuar kushtet teknike dhe projektin e miratuar nga UKT.
Ndërkohë, punimet për pjesën që i përket pikës së lidhjes me rrjetin publik do të kryhen nga strukturat e UKT, pasi të jetë kryer pagesa për preventivin e miratuar. Mbikëqyrja dhe kolaudimi i punimeve të kryera nga subjektet do të bëhet gjithashtu nga UKT.
Ndërsa për personat fizikë, të cilët nuk disponojnë kapacitetet teknike e profesionale të nevojshme, UKT do të zbatojë të gjithë projektin e lidhjes së furnizimit me ujë dhe shkarkimit të ujërave të ndotura me strukturat e saj, nga pika e lidhjes me rrjetin publik deri tek sistemi i brendshëm i objektit. Ky shërbim do të kryhet pas kryerjes së pagesës së preventivit nga ana e kërkuesit.
/r.e//a.f/