E Hënë, 2 Nëntor 2026

Procesi i Berlinit: Dhjetë vjet në dhomën e pritjes së BE-së

Procesi i Berlinit u krijua për të shoqëruar rrugëtimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Por shumë prej vendeve e kanë rrugën të bllokuar për shkak të konflikteve me njëri-tjetrin.

Aleksandra Tomaniç drejton European Fund for the Balkans, një fondacion rajonal me seli në Beograd. Kur planifikon një aktivitet në Sarajevë, ajo duhet të mendohet dy herë, para se të ftojë edhe pjesëmarrës nga Kosova. “Për kosovarët, udhëtimi është i ndërlikuar dhe kërkon shumë kohë, pasi ata duhet fillimisht të udhëtojnë në Shkup për të aplikuar për vizë. E njëjta gjë vlen edhe për boshnjakët që duan të udhëtojnë në Kosovë”, thotë Tomaniç pa e fshehur zhgënjimin që regjimi i vizave mes Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës është ende në fuqi.

Ndërkohë që dy vjet më parë dukej se gjërat do të përmirësoheshin: Në nëntor të vitit 2022, krerët e qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia – nënshkruan tri marrëveshje mobiliteti, ku ranë dakord për lëvizje të lirë me karta identiteti, njohjen e diplomave universitare dhe disa kualifikime profesionale. Deri më sot, zbatimi i këtyre marrëveshjeve ka ngecur. “Kjo nuk është premtimi i vetëm i pambajtur i Procesit të Berlinit,” thotë Tomaniç.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›