E Enjte, 5 Nëntor 2026

Procesi i rivlerësimit të pasurive ende i hapur, deri tani mblidhen 1.2 miliardë lekë në buxhet

Procesi i rivlerësimit të pasurive është ende i hapur dhe qytetarët po vijojnë të aplikojnë pranë zyrave të kadastrës.

Qeveria vendosi në fund të 2020-s të shtyjë me një vit afatin për rivlerësimin e pronës pasi procesi u ngadalësua për shkak të pandemisë.

Shtyrja e afatit shihet edhe si një mundësi për t’i dhënë një frymëmarrje tregut imobiliar.

Sipas të dhënave të ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, të ardhurat e mbledhura në buxhet nga rivlerësimi i pasurisë për periudhën janar-prill llogariten 1.2 miliardë lekë, ndërsa llogariten mbi 50 mijë objekte që janë përfshirë deri tani në këtë proces.

Rivlerësimi është një proces që përafron vlerën e pasurisë me çmimin aktual të tregut, bëhet vullnetarisht nga qytetarët brenda një afati të caktuar kohor, duke iu krijuar mundësinë që tatimi që i paguhet shtetit në rast të një shitjeje, të jetë shumë më i vogël.

Rivlerësimi i shtëpive dhe pronave bëhet përkundrejt një pagese prej 3 për qind të vlerës të diferencës së vlerës së shtuar nga 15 për qind që është detyrimi tatimor në kushte normale. Ndërsa për rivlerësimin e bizneseve, taksa llogaritet 5%.

Nga ky rivlerësim do të kenë mundësi të përfitojnë rreth 60 mijë pasuri, efekti pozitiv në buxhetin e shtetit pritet të jetë 6 miliardë lekë.

Ky është rivlerësimi i tretë që po bëhet. Në vitin 2011-2013 u rivlerësuan 95 mijë banesa./ATSH

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›