Proda: 2,2 miliardë lekë për Smart City-n, investime në godina dhe pajisje për policinë

TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda paraqiti sot në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, projektbuxhetin për policinë e Shtetit për vitin 2026.
Proda bëri të ditur se buxheti i parashikuar për vitin 2026 është në shumë 29,6 miliardë lekë me një rritje prej 2,8 miliardë lekë ose rreth 17% në raport me buxhetin e vitit 2025.
“Për shpenzimet e personelit paga dhe sigurime shoqërore tavani është 19,9 miliardë lekë ose me një rritje prej 12% në raport me buxhetin e vitit 2025. Në raport me buxhetin në total këto shpenzime zënë në total 67% të tij. Për shpenzime të tjera mallra shërbime dhe transferta, tavani është rreth 5,1 miliardë lekë. Për shpenzimet për investime tavani është rreth 2,2 miliardë lekë, ose me një rritje 21,7% në raport me buxhetin e vitit 2025”, tha Proda.
Gjatë fjalës së tij, Proda bëri të ditur se me këtë projektbuxhet garantohet mbështetja dhe funksionimi normal i Policisë së Shtetit.
Duke u ndalur tek projektet më të rëndësishme për vitin e ardhshëm, Proda nënvizoi “investimin me financim të huaj të Smart City në masën 2,2 miliardë lekë”.
Në lidhje me këtë projekt, Proda sqaroi se ka përfunduar negocimi. “Besoj brenda janarit do të mbyllet edhe kontrata dhe në një afat rreth 18 muajsh sistemi do të jetë funksional”, shtoi ai.
“Objektiv është që të rritet niveli i sigurisë publike dhe performanca e punonjësve të Policisë së Shtetit”, tha Proda.
Sa i përket investimeve të brendshme, Proda përmendi “ndërtimin e Komisariatit të Policisë Krujë me një vlerë prej 107 milionë lekësh, rikonstruksioni i godinës së Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan në shumën 52 milionë lekë dhe ndërtimi e rikonstruksioni i Komisariatit të Policisë Sarandë në shumën 75 milionë lekë”.
Gjithashtu shtoi Proda do të investohet për pajisje për policinë në vlerën 433 milionë lekë.
“Blerje e automjetesh speciale në masën 119 milionë lekë. Gjithashtu është parashikuar edhe blerja e mjeteve të transporti për rinovimin e flotës së mjeteve rrugore të Policisë së Shtetit në masën 100 milionë lekë”, theksoi Proda.
Gjithashtu theksoi Proda “është parashikuar të blihen pajisje të teknologjisë së informacionit në masën 185 milionë lekë”.
“Kemi parashikuar projekt financiar dhe inventarizues në Policinë e Shtetit në masën 68 milionë lekë”, tha Proda,
Proda e përmbylli fjalën duke theksuar se “është parashikuar dhe pagesa e TVSH-së për projektin Smart City në masën 1 miliard lekë”.
Gjatë mbledhjes së komisionit, deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu ngriti shqetësimin e arrestimit të presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në tetor të vitit të kaluar.
Sipas Balliut, Meta u arrestua “në formën më skandaloze e kriminale, sikur të ishte terrorist”.
Proda tha se kjo çështje është nën hetim. Ai shtoi se nuk kemi të bëjmë me veprime arbitrare, por me “përdorimin e forcës në rastet kur ka rezistencë ndaj arrestimit”.
“Në lidhje me arrestimin e ish-presidentit Meta, çështja është nën hetim. Sa i përket opinionit tim, nuk kemi të bëjmë me një veprim arbitrar, por kemi të bëjmë me përdorimin e forcës në rastet kur ka rezistencë ndaj arrestimit dhe në çdo forcë policie të botës, pavarësisht si e ke emrin apo çfarë detyre ke pasur më parë, Policia e Shtetit kur bën rezistencë apo tejkalon masën e gjërave që duhet të thuash në momentet e arrestimit, përdor forcë të nevojshme që, besoj, ka qenë proporcionale në raport me situatën”, sqaroi Proda.
Sa i përket atentatit që ndodhi në rrethrrotullimin pranë Rinasit, ku u vranë dy persona, Proda theksoi se çështja është nën hetim dhe se Policia e Shtetit është në proces e sipër.
“Në lidhje me atentatin, ka vend për të analizuar. Jemi në proces e sipër, çështja është nën hetim. Europol dhe Interpol, mentorët më të mëdhenj të policisë shqiptare. Kemi bashkëpunim të shkëlqyer me Europol dhe Interpol”, deklaroi Proda.
Proda shtoi gjithashtu se janë nëntë persona te ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
/m.q/j.p/r.e/