E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e Canit, Prokuroria kërkon 25 vite burg për autorin

TIRANË, 14 nëntor /ATSH/ Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 25 vite burg për Mario Përlleshajn, për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave”, lidhur me ngjarjen e ndodhur në nëntor të vitit të shkuar, pranë shkollës “Fan Noli”, Tiranë, ku viktimë mbeti 14-vjeçari Martin Cani dhe u plagos shoku i tij, Luis Meçja.

Gjatë leximit të pretencës, prokurorja Alma Felaj i ka lënë në vlerësimin e gjykatës dënimin përfundimtar, duke bërë me dije se duhet të merret parasysh Kodi Penal për të Mitur, konkretisht Neni 97. Ky nen përcakton se dënimi për të miturit në këto rrethana nuk mund të kalojë 12 vite burgim.

Ngjarja e rëndë ndodhi pas orarit mësimor, pak metra larg shkollës “Fan Nolit”. Të miturit u konfliktuan fizikisht, ndërsa Përlleshaj goditi me thikë Martin Canin dhe shokun e tij Luis Meçja, teksa mbeti edhe vetë i plagosur. Fatkeqësisht Cani, vetëm 14-vjeç ndërroi jetë, tekas Meçja vijoi një trajtim të gjatë mjekësor drejt shërimit.

Në seancën e ardhshme pritet të mbahen konkluzionet e mbrojtjes, si dhe do të paraqitet qëndrimi i palëve të dëmtuara.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›