E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prodhimi i perimeve në Devoll, patatet dhe qepët tregtohen me çmim më të ulët nga viti i kaluar

Në bashkinë e Devollit, prodhimi i perimeve këtë vit ka njohur rritje të ndjeshme, sidomos për qepën dhe pataten.

Sipërfaqet e mbjella me këto kultura bujqësore janë shtuar, duke bërë që edhe prodhimi total të jetë më i lartë se një vit më parë.

“Ka filluar vjelja e qepës, e patates. [Qepa] po shkon në treg me një çmim të leverdishëm. Si rezultat i çmimit të lartë që ishte vitin e kaluar, u rrit rreth 20 për qind sipërfaqja dhe kjo bëri që për këtë vit të kemi një superprodhim dhe një ulje të çmimit të tregtimit të qepës,” thotë Ylver Bylykbashi, përgjegjës i Sektorit të Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Bashkinë Devoll.

Kjo rritje ka sjellë një ofertë më të madhe në treg, duke ndikuar edhe në uljen e çmimit për konsumatorët.

“Në rast se vitin e kaluar qepa tregtohej me rreth 35–40 lekë, sot tregtohet me 27–30 lekë. Patatja ka ruajtur trendin e vitit të kaluar,” tregon z. Bylykbashi.

Qepa dhe patatja janë dy produkte bazë të tryezës së përditshme, ndërsa fermerët e zonës po punojnë për të siguruar cilësi dhe sasi të qëndrueshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›