Produktet bujqësore sezonale, të shtrenjta dhe jocilësore
Ushqimet – Deri në muajin korrik, të dhënat tregojnë se kemi eksportuar në total produkte ushqimore afro 1 miliard lekë më shumë se viti i kaluar, për të njëjtën periudhë
Rritja – Eksportet e produkteve bujqësore, blegtorale dhe agro-ushqimore kanë rritje në vlerë prej 12 për qind, krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit 2011, thotë ministria
Krahasimi – Është turp kjo që po ndodh, domaten e shes me 120 lekë dhe shiko se çfarë malli. Vitin e shkuar, në këtë sezon e hoqa për 100-200 lekë, tregon një tretar i fruta-perimeve
Treguesit
Çmimet arrijnë kulmin. Malli i mirë shitet jashtë
ARD KOLA
Është ora 2 e drekës dhe tregtari i fruta-perimeve nuk kishte të thyente 1 mijë lekëshin. Kërkoi te fqinji, por edhe ai nguroi ta ndihmonte, pasi nuk kishte shumë të holla në dispozicion. Arkat ishin plot me produkte bujqësore dhe dukej qartë se Kujtimi nuk kishte shitur aq sa duhet. Është turp kjo që po ndodh, domaten e shes me 120 lekë dhe shiko se çfarë malli. Vitin e shkuar, në këtë sezon e hoqa për 100-200 lekë, tregon ai. Të tjera produkte po shiten shtrenjtë, edhe pse jemi në gusht, si: bostani, specat apo trangujt. Tregtarët thonë se malli cilësor shkon i gjithi jashtë vendit dhe brenda mbetet pjesa e padëshiruar nga eksportuesit. Rezervat janë pakësuar dhe vendi po përballet me sasi të vogla dhe jo cilësore. Ekspertët gjykojnë se, po të mos ishte dora e shtrënguar e konsumatorit, pra, kërkesa të ishte më e lartë, çmimet e produkteve fruta-perime do të kushtonin më shtrenjtë.
Inflacioni vjetor rezultoi 2.7% në muajin korrik, duke u rritur me 0.5 pikë përqindje kundrejt qershorit
Me mbylljen e sezonit shqiptarët nuk patën mundësi që të paktën në muajt e verës të konsumojnë produkte të freskëta dhe me çmime të lira. Edhe pse jemi të rrethuar nga vreshtat, 1 kg rrush kushton 130 lekë. Gjen masivisht edhe të vyshkur për 80 lekë, pasi i miri shkon për eksport.
Deri në muajin korrik, të dhënat tregojnë se kemi eksportuar në total produkte ushqimore afro 1 miliard lekë më shumë se viti i kaluar, për të njëjtën periudhë. Ministria e Bujqësisë përcolli disa të dhëna pozitive, të para në këndvështrimin makroekonomik të vendit. Sipas dikasterit të Genc Rulit, eksportet e produkteve bujqësore, blegtorale dhe agro-ushqimore kanë rritje në vlerë prej 12 për qind, krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit 2011. Më konkretisht, eksportet kanë rritje prej 28 për qind në sasi dhe 24 për qind në vlerë për perimet.
Ekspertë të bujqësisë shpjegojnë se rritja e prodhimit vendas dhe cilësisë, si dhe modernizimi i teknologjive në fermat blegtorale, bujqësore dhe agro-përpunim janë faktorët kryesorë që sollën rritje të eksporteve dhe ulje të pjesshme të importeve. Natyrshëm që është lajm për tu përgëzuar, por nga ana tjetër konsumatorët shqiptarë po varfërohen gjithnjë e më shumë nga çmimet e larta.
Inflacioni dhe situata në tërësi i luhatjes së çmimeve është objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë.
Inflacioni vjetor rezultoi 2.7% në muajin korrik, duke u rritur me 0.5 pikë përqindje kundrejt muajit paraardhës. Rritja e normës së inflacionit erdhi kryesisht si pasojë e rritjes më të lartë të çmimeve të mallrave ushqimorë të papërpunuar në këtë muaj. Gjithashtu, edhe çmimet e mallrave të konsumit jo ushqimor kanë shtuar kontributin e tyre në inflacionin vjetor, si rrjedhojë e rritjes së çmimit të naftës. Kontributet e mallrave të tjera të shportës në inflacion mbeten të qëndrueshme dhe me luhatshmëri të vogël.
Pavarësisht rritjes, inflacioni i çmimeve të konsumit mbetet në gjysmën e poshtme të intervalit të tolerancës së Bankës së Shqipërisë, u shpreh dje guvernatori i BSH-së. Në aspektin makroekonomik, rritja e tij ka ardhur si pasojë e veprimit të faktorëve të përkohshëm, ndërkohë që ecuria e dobët e kërkesës agregate vijon të shoqërohet me presione të ulëta mbi çmimet e konsumit. Gjithashtu, rritja e kostove të prodhimit mbetet e dobët, inflacioni i importuar shfaqet i ulët, ndërsa pritjet inflacioniste të agjentëve ekonomikë vijojnë të jenë të ankoruara.
Produktet bujqësore sezonale, të shtrenjta dhe jocilësore burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip