Produktet e para të “Shërbimit Satelitor”/ Rama: Kemi një bazë fantastike të leximit të territorit

“Kemi një bazë fantastike të leximit të territorit përmes satelitëve”, kështu ka deklaruar Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në eventin për prezantimin e produkteve të para të “Shërbimit Satelitor”. Kreu i qeverisë theksoi se deri më 21 qershor u mblodhën imazhe të rëndësishme për 16 mijë e 324 kilometra katrorë të Republikës së Shqipërisë.
“Shqipëria është vend lider në Ballkanin Perëndimor në dy aspekte, njëri aspekt ka të bëjë me sistemin e përgjithshëm të mbrojtjes që ka 5 elementë, tokën, detin, ajrin, hapësirën dhe sferën kibernetike. Në të 5-ta këto, ne jemi të pranishëm me fuqinë relative në raport me atë që duam të arrijmë, por nga ana tjetër jemi të pranishëm me një vizion të kthjellët se ku duam të shkojmë. Shqipëria është botërisht e mirënjohur nga institucionet ndërkombëtare si vend lider në rajon për shërbimet e dixhitalizuara.
Deri më 21 qershor janë mbledhur imazhe të rëndësishme për 16 mijë e 324 kilometra katrorë të Republikës së Shqipërisë. Ka qenë periudha më e bukur për gjelbërimin sepse kudo kalojnë ngjyra e gjelbra janë bërë shumë të theksuara dhe bimësia ka një entuziazëm të madh si rezultat i shirve të përditshëm, por qielli i mbuluar ka vështirësuar punën e atyre që janë përfshirë në këtë proces.
Përveç dy satelitëve, u shtuan dhe 8 satelitë të tjera nga kompania, pa pagesë ekstra, për të na furnizuar me më shumë imazhe.
Sot, ne mund të themi se kemi një bazë fantastike të leximit të territorit sipas nevojave të këtyre dikastereve”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh më tej se tashmë identifikimi i dëmeve mund të bëhet me vetëm një imazh, vlera e të cilit për disiplinën në ndërtim është e jashtëzakonshme.
“Nga imazhet, shërbimet e ngarkuara për këtë punë, identifikimin e dëmeve, mund ta bëjmë vetëm me një imazh.
Vlera e këtyre imazheve për disiplinën në ndërtim është e jashtëzakonshme. Gjithçka do lexohet në kohë reale, për shfrytëzimin e territorit, lejet e ndërtimit dhe ndërtimet pa leje.
Tanimë është shumë më e lehtë për agjencinë ligjzbatuese, drejtuesit për të pasur qartësi jo vetëm mbi sipërfaqen e konstatuar të tillë, por edhe sa ndërhyhet në sipërfaqe”, u shpreh Kryeministri.
/rtsh.al/