Profesionet e lira, Tatimet: 95% e tatimpaguesve janë rimbursuar

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, bën të ditur se, data 30 dhjetor 2024 është afati i fundit për rimbursimin e menjëhershëm të kësteve të parapaguara të tatimit mbi fitimin dhe tatimfitimit të thjeshtuar, sipas aktit normativ për tatimpaguesit, që ofrojnë shërbime profesionale.
Në një njoftim për shtyp, DTP njofton se, administrata tatimore ka rimbursuar brenda afatit 95% të tatimpaguesve, që deklaruan në kohë llogaritë bankare. Vlera totale e kësteve të rimbursuara shënon 605 630 543 lekë.
Sipas administratës tatimore, procedura për rimbursimin e kësteve në vijim do të ndiqet në drejtoritë rajonale tatimore nëpërmjet kërkesave për rimbursim.
Rimbursimi vjen pasi Kuvendi miratoi vendimin në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese shfuqizoi taksimin progresiv të profesioneve të lira, parashikuar në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”.
