Programet bërthamore, Rice takon homologun nga Koreja Veriore
Sekretarja amerikane e Shtetit Condoleezza Rice u takua me shefin e diplomacisë së Koresë Veriore, për të parën herë në katër vitet e fundit të karakterizuara nga mosmarrëveshjet rreth programeve bërthamore të Penjanit.
Rice dhe Pak Ui Chun u takuan sot në Singapur me zyrtarët e vendeve të tjera të përfshira në bisedimet për çarmatosjen e Koresë Veriore.
Përpara bisedimeve, Rice tha se do të mund të jepte një mesazh të fortë për Korenë e Veriut, që thotë se ajo duhet të pranojë verifikim të bindshëm se e ka çmontuar infrastrukturën bërthamore.
Në këtë takim merrnin pjesë katër vendet e tjera të përfshira në bisedimet për programin bërthamor të Koresë së Veriut, Kina, Rusia, Japonia dhe Koreja e Jugut.
Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së vendeve të Azisë Juglindore, Surin Pitsuwan, tha se bisedimet e planifikuara do të ishin një lëvizje inkurajuese.
"Ne natyrisht që e mirëpresim mundësinë që ata do të takohen këtu, ministrat e jashtëm të gjashtë palëve, për të ndjekur situatën në gadishullin korean. Unë mendoj se ne që të gjithë e ndjejmë se dëshirojmë të mbështesin dhe të shohim se procesi i ç'atomizimit do të shkojë sa më lehtë të jetë e mundur," tha zoti Pitsuwin.