E Hënë, 2 Nëntor 2026

Programi “EU4Schools”, inaugurohen shkollat “Musine Kokalari” dhe “Myslym Keta”

Ditën e sotme u inauguruan dy objekte të tjera arsimore në Tiranë, të cilat janë pjesë e ndërhyrjes së Programit “EU4Schools” / “BE për Shkollat”: shkolla 9-vjeçare “Musine Kokalari” dhe gjimnazi “Myslym Keta”. 

Me rindërtimin dhe/apo riparimin e tyre, nxënësit, fëmijët dhe mësuesit kanë lënë pas mësimin me dy turne dhe e kanë nisur vitin e ri shkollor në “shtëpinë e tyre” në mjedise tërësisht bashkëkohore për zhvillimin e procesit mësimor sikurse në vendet e Bashkimit Evropian. 

Në dy inaugurimet e zhvilluara morën pjesë Shefi i Bashkëpunimit pranë Delegacionit të BE-së në Tiranë, Hubert Perr; Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Shqipëri, Monica Merino; Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj; Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nina Guga; përfaqësues të institucioneve qendrore & vendore; nxënës, mësues etj. 

“Musine Kokalari” dhe “Myslym Keta” janë dy prej 7 objekteve arsimore në Bashkinë e Tiranës, të cilët janë rindërtuar dhe/apo riparuar nga “EU4Schools”, nga të cilat kanë përfituar drejtpërdrejt 5.200 nxënës dhe fëmijë, si dhe 270 mësues/e. 

Projekti synon rindërtimin ose riparimin e 63 objekteve arsimore në 11 bashkitë më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, me përfitues të drejtpërdrejtë 25.000 nxënës, mësues dhe fëmijë. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›