E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Programi", Rama: Ndryshimi nuk do të vijë në 1 ditë, por me pune. Largohet opozita

TIRANË- Kryeministri i ri i vendit Edi Rama nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, ku foli për herë të parë, nisi prezantimin e programit të qeverisë 2013-2017 të koalicionit "Aleanca për Shqipërinë Europiane" me një parantezë ku nënvizoi vijimin e mbështetjes ndaj aleatit të madh, SHBA në luftën globale kundër ‘kasapëve’ si Assad, ndërkohë, duke iu kthyer mandatit qeverisës ritheksoi se ashtu si në vitin 1992, shqiptarët votuan në bllok socialistët dhe aleatët e saj për të vulosur ndryshimin.

Gjatë fjalës së tij të gjatë, ku siguroi opozitarët se do të gëzojnë respektin që socialistët nuk e patën kurrë, Rama u tentua të ndërpritet nga ligjvënësit demokratë, të cilët filluan ta kundërshtonin duke krijuar ovacione në sallë.

Pas këtij veprimi, opozita vendosi të bojkotojë prezantimin e programit qeverisës nga Rama, ndërkohë që ish-kryeministri Berisha në një prononcim për mediat e cilësoi fjalimin e Ramës ‘paranojak dhe hakmarrës’.

Në karriget e boshatisura të opozitës kamerat fokusuan aleatët Dashamir Shehu (kreu i LZHK) si dhe deputetin e PDIU-së Tahir Muhedini, të cilët vendosën të mos largohen nga salla. Fjala e Ramës u ndoq edhe nga trojka e ambasadorëve si dhe nga drejtues të institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i cili i bëri thirrje palëve për qetësi njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohet paraditen e së shtunës ora 10:00, pasi opozita të ketë shqyrtuar programin qeverisës. 

RULI: U PROVOKUAM PËR HERË TË DYTË
Ora 20:00 Ish-ministri i Bujqësisë, Genc Ruli i ftuar në rubrikën “Opinion” në TVNews24, deklaroi se Rama me fjalimin e tij bojkotoi për herë të dytë opozitën ndaj kjo ngjalli dhe reagimin e tyre në sallën e Kuvendit.

“Është provokimi i dytë që i bëhet opozitës. Provokimi i parë u bë dje kur Ruci i tha Palokës se nuk iu pyesim ju për programin”. Ruli akuzoi qeverinë e re se nuk pranon realitetin, por nxin situatën me deklaratat e saj. “Ruajtëm rritjen ekonomike dhe në kohë krize”, u shpreh Ruli.

SEQUI: DUHET DIALOG PËR INTEGRIMIN
Ora 19:30 Ambasadori Ettore Sequi nga ana e tij i rikujtoi mazhorancës dhe opozitës që duhet dialog për integrimin në BE.

“Doja të theksoj se pika e parë e programit të qeverisë së re ka të bëjë me integrimin në BE, dhe kishte një fjali të cilën e kam mbajtur shënim dhe do doja ta theksoja: integrimi evropian është një objektiv kombëtar dhe i shërben demokratizimit të shoqërisë shqiptarë në bazë të vlerave të BE. Është e rëndësishme që është nënvizuar si prioritet i qeverisë. Ne e dimë se shumica e shqiptarëve janë dakort që Shqipëria të shkojë drejt BE, dhe kjo kërkon gjithëpërfshirje dhe bashkëpunim. Është e qartë se parlamenti ka një rol të vecantë në këtë cështje. Një arenë duhet të jetë e gjallë, por e rëndësishme të ketë dialog. Jam i sigurt se secili do të kontribuojë për këtë dialog për të ecur para”m, theksoi Sequi.

ARVIZU: KORTEZIA NUK DO LËNDONTE ASKËND 
Ora 19:28 Ambasadori në ikje i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, i cili bashkë me drejtues të institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri ndoqi në sallën e Kuvendit prezantimin e programit të qeverisë ‘Rama’, në një prononcim për gazetarët pas mbylljes së seancës u tregua i kujdesshëm sa i takon bojkotit të opozitës dhe zhvillimeve në sallë, duke theksuar se dëgjoi fjalën e Ramës për të cilën të gjithë ishin të pranishëm.

“Ne dëgjuam programin e qeverisë. Nuk mendoj se kortezia do të lëndonte askënd”, tha Arvizu.

BERISHA: NA SHPALLI LUFTË, DO I KETË DITËT E SHKURTRA
18:35 Ish- kryeministri i vendit Sali Berisha, pasi opozita bojktoi fjalën e kryeministrit Rama në një prononcim për gazetarët deklaroi se mazhoranca e re dje i shpalli luftë opozitës, duke paralajmëruar se do i ketë ditët e shkurtra.

“Në dëgjojë një retorikë të ulët. Me sharje dhe fyerje ndaj pozitës mendon se do të mundë të kapërcejë premtime 'alla Papandreu' me të cilat mashtroi dhe mori votën e shqiptarëve. Vetëm me mashtrime publike për shërbim shëndetësor falas, për dëmshpërblim brenda dy viteve të të përndjekurve, për legalizime falas, për ulje të taksave për 95% të shqiptarëve. Në këto rrethana. Nuk kishte hapësirë për të ndjekur ligjeratën paranojave, banale të një piktori dështak që sot flet në emër të qeverisë. I rikujtoj zotërisë se sot janë dy data. 11 shtatori që nderon gjithë njerëzimi viktimat e Nju Jorkut, por dhe 11 shtatori i Pinocetit. Moralisht shprehu nderim për të parim, por në shpirt kishte të dytin. Ne erdhëm këtu, por Rama na shpalli luftë. Ajo që mazhoranca bëri ishte e paparë, nuk ndodh dhe në Korenë e Veriut që diskutimi të behet pa e marrë materialin dhe pa i dhënë qoftë një ditë të vetme. Nëse vijohet ne këtë mënyrë dëshmohet se etërit janë aty. E dëgjuat krahasimin me vitin ‘92, kjo është hakmarrje. Por në këtë rrugë do i ketë ditët e shkurtra. Demokratët nuk mposhtën, pasi demokratët janë të pathyeshëm”, theksoi Berisha.

OPOZITA BOJKOTON FJALËN E RAMËS
Ora 18:33 Opozita ka bojkotuar fjalën e kryeministrit Edi Rama. Pasi kanë tentuar të ndërpresin fjalën e Ramës, ligjvënësit demokratë janë larguar një nga një.

I pari është larguar zoti Berisha dhe më pas zonja Topalli dhe zoti Paloka. 

Gazetari Arbër Hitaj raportoi se fjala e Ramës lidhur me situatën ekonomike në vend ka tensinuar situatën duke ngjallur reagimin e fortë të opozitës, ku lideri historik i se djathtës e ka etiketuar Ramën "gënjeshtar".

RAMA PREZANTON PROGRAMIN 
Ora 18:15  Kryeministri i dekretuar, Edi Rama, nisi prezantimin e programit të qeverisë 2013-2017 të koalicionit "Aleanca për Shqipërinë Europiane" me një parantezë të rrezikut që kanos lufta globale për mbarë popujt duke shprehur dhe një herë mbështetjen ndaj aleatit të madh të Shqipërisë, SHBA. “Shqipëria mbështet pa asnjë ngurrim cdo vendim që presidenti i SHBA do marrë në frontin e luftës Globale dhe pa asnjë fije dyshimi që SHBA do marrin për të ndëshkuar kasapin e Damaskun”, tha Rama.

Në fjalimin e tij të parë në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë, kryeministri Rama theksoi se më 23 qershor, ashtu si në vitin 1992, Shqipëria nuk u nda në dy blloqe, por në një bllok masiv për të vulosur ndryshimin. “Shqiptarët na dhënë për ti dhënë fund karshillëkut të opozitës. Pasqyra e historisë së re na flet ne fituesve se thellësinë e fitores si në marsin e vitit 1992, nuk e përcaktoi dëshira për ti ndryshuar vendet karrikeve apo kryeministrin dhe ministrat, jo...Përmasën historike e përcaktoi domosdoshmëria historike për të ndryshuar Shqipërinë, duke nisur nga ndryshimi i modelit qeverisës’, u shpreh Rama.

Më pas, kryetari i mazhorancës së re ka prezantuar edhe programin qeverisës, ku në themel qëndron integrimi i vendit ne familjen e madhe evropiane, duke premtuar ndryshime jetike në sektorët kyçë si shëndetësia, drejtësia, rendi, lufta ndaj varfërisë dhe papunësisë.  Rama nuk ka harruar edhe luftën kundër korrupsionit dhe atë kundër kriminalitetit. "Nuk kemi mandat të harrojmë krimet që janë bërë. Nuk do harrojmë qytetarët e vrarë në Gërdec, politikanin e vrarë në oborr, ata të vrarë në bulevard dhe komisarët e vrarë në krye të detyrës. Ne do të krijojmë kushtet që policët dhe prokurorët të bëjnë detyrën e tyre. Mandati nuk na është dhënë për të amnistuar krimet. Mandati na është dhënë për të bërë transparencë të plotë për krimin ekonomik dhe katrahurën e bërë me pronat private, për të mos lejuar që çfarë është bërë keq për vendin të bëhet edhe më keq, në dëm të njerëzve të pambrojtur", shtoi Rama. Kryeministri i ri ka premtuar një politikë të jashtme të re, duke e vënë theksin tek zbutja e marrëdhënieve me vendet fqinje, si dhe më shumë angazhim për shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë dhe të diasporës. 

Rama pavarësisht bojkotit që opozita i bëri fjalës së tij, premtoi se do i siguroi të drejtat që ajo në të shkuarën i mohoi socialistëve. Rama bëri thirrje që bashkëjetesa demokratike varet nga mënyra se si palët sillen me mos-dakortësinë.

“Ja pse sot vij të marr detyrën me ndjenjën e një përulje, që ndoshta nuk do e kisha pasur me një fitore normale. Vij i përgatitur për ti thënë opozitës se marr përsipër që të siguroj ato që deri dje ne na u mohua në opozitën, që sot nuk do i mungojë opozitës. Opozita do të jetë pjesë e vendimeve të këtij Kuvendi. Ne do të dialogojmë dhe do të udhëheqim. Cilësia e bashkëjetesës demokratike nuk varet nëse biem apo jo dakort, por nga mënyra se si veprojmë me mos-dakortësinë. Ftoj dhe mbështes kryetarin e Kuvendit që të vigjiloi më paanësi për të mos lejuar vazhdën brutale ndaj opozitën. Me zgjedhjen e tij dje, koha e batutave e pa shije ka perënduar përgjithnjë. Por, ka perënduar dhe koha kur kryeministri ndërhynte me libër shpije vend e pa vend”, u shpreh Rama. 

Rama nuk anashkaloi pa i kujtuar opozitës se ashtu si në të shkuarën tashmë ato e kanë kryetarin e tyre jashtë parlamentit. “PD po fillon jetën opozitëre me një kryetar që nuk është deputet, por kryetar Bashkie. A nuk ngjan se mallkimet janë kthyer”. “E mbyll fjalën me përuljen për 1 milion zgjedhësit dhe për ata që nuk na votuan. Dua te theksoj se ndryshimi nuk do vije as brenda një nate as brenda një viti, por puna nuk do reshtë asnjë minutë dhe rilindje do ketë”, tha Rama.

META CEL SEANCËN: KOHË DERI NESËR ORA 00:00 PËR PYETJET
Ora 18:12 Kuvendi i Shqipërisë u mblodh të mërkurën në seancën e 3-të të Legjislaturës së re, ku kryeministri i dekretuar, Edi Rama do të prezantojë programin e qeverisë për periudhën 2013-2017.

“Fillojmë seancën e ditës së sotme, e cila si cështjen e sotme ka prezantimin e programit politik dhe përbërjen e Këshilit të Ministrave në vijim dhe të dekreteve të Presidentit të Republikës të cilat janë para jush. Para se të vijojmë me rendin e ditës, ku kemi zhvilluar dhe me krerët e grupeve parlamentare. Do të ftoja deputetin Ridvan Bode për të bërë betimin. Do kemi kohën deri nesër në orën 00:00 për të dorëzuar pyetjet në lidhje me programin që qeveria të përgatitet. Seanca që do të vijojë me debatin që do të zhvillohet të shtunën në orën 10:00”, u shpreh kryeparlamentari Meta. 

META-RUCI-PALOKA, TAKIM KONSTRUKTIV
Ora 18:00 Parlamenti pritet të nisë punimet rreth orës 18:00 të pasdites së sotme. Seanca në fakt ishte parashikuar të zhvillohej më orën 11:00 të ditës se sotme, por pas Konferencës së Kryetarëve zhvilluar sot, kryeparlamentari Ilir Meta dhe dy krerët e grupeve parlamentare Ruci dhe Paloka kane rënë dakord që seanca e parashikuar për mesditën e sotme të shtyhet për pasdite, ku kryeministri Rama do të prezantoje programin qeverisës.

Sipas burimeve pranë kryetarit të Kuvendit takimi i sotëm mes Metës-Rucit dhe Palokës cilësohet si një takim konstruktiv. “Në konsultim me kryetarët e Grupeve Parlamentare u konkludua që seanca plenare e caktuar për në orën 11:00, do të zhvillohet në orën 18:00, ku do të prezantohet programi i qeverisë për periudhën 2013-2017 nga Kryeministri i dekretuar, Edi Rama”- thuhet ne njoftimin e sotëm zyrtar te Kuvendit. Ndërkaq, është rënë dakord gjithashtu që seanca debat për programin e ri qeverisës të zhvillohet pas dy ditësh. 

PROGRAMI 
Një ditë më parë koalicioni i majtë në pushtet publikoi programin, i cili pritet t’i nënshtrohet sot debatit në Parlament për t’i hapur më pas rrugën votimit të kabinetit të ardhshëm qeveritar të kryesuar nga z. Rama. Programi, i ndërtuar mbi pesë kapituj, nis me integrimin europian, rolin e Shqipërisë në Ballkan, sigurinë dhe shtetin e së drejtës për të vijuar me zhvillimin ekonomik dhe shërbimet publike.

Programi shoqërohet nga një hyrje e kryeministrit Rama, i cili thekson se misioni i së majtës është që "të të ecë më shpejt për të ndërtuar Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër” dhe se vlerat mbi të cilat ajo do të mbështetet do të jenë Liria, Përgjegjësia dhe Solidariteti.

Një ditë më parë, Partia Demokratike tha se, socialistët ende nuk u kanë sjellë zyrtarisht një kopje të programit qeverisës dhe se ata kanë nevojë për më shumë kohë që të përgatisin diskutimet. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, tha dje se, socialistët rikthyen metodat e tyre të vjetra të punës, duke shkelur të drejtat e opozitës, vetëm pak minuta pasi premtuan publikisht nga tribuna e Parlamentit se do t'i respektonin ato. 
(e.m/d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera  Malaj: Fakti që opozita përqendrohet tek premtimet elektorale, pabesi Duka: PS ka ndryshuar programi, nuk janë premtimet që bëri në fushatë Halimi: Rama fillim antikushtetues, paraqet programin bashkë me kabinetin Programi, 4 deputetë-Edi Ramës: T’i japim PD-së kohën të përgatitet Stano: KE pret konsensu nga parlamenti i ri. Jetike për integrimin Ndoka: Edhe për votimin e qeverisë mund të ketë rrjedhje të votave nga opozita PROGRAMI NE PDF I QEVERISE RAMA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›