Programi i PD për ekonominë, Berisha: Plan emergjence për 100 ditët e para me rritje pensionesh dhe të minimumit jetik

Partia Demokratike shpalli sot programin elektoral për sektorin e ekonomisë, të cilin e ka hartuar në bashkëpunim me fondacionin e CDU gjermane, Konrad Adenauer. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shpjegoi se parimi bazë i programit është aplikimi i taksave të ulëta.
“Ne besojmë se, paratë në xhepat e qytetarëve janë më të dobishme se në kontot e qeverisë“, tha Kryetari i PD, Sali Berisha.
Sipas kryetarit të PD, pavarësisht rritjes ekonomike të Shqipërisë, qytetarët ndodhen në situatë të vështirë përballë rritjes së çmimeve dhe kostos së jetesës, ndaj Partia Demokratike ka hartuar një plan emergjence për 100 ditët e para të qeverisjes.
“Do rrisim pensionet në mënyrë substanciale, do vendosim minimumin jetik 200 euro. Miq, e keni parë Edi Ramën, që për të mashtruar pensionistët vë në anë biznesmenë, në anën tjetër pensionistë. Dhe u thotë, ja këta, thotë, nuk paguajnë sigurimet shoqërore. Po, a e dini ju që borxhliu më i madh në sigurimet shoqërore është Edi Rama dhe administrata e tij? Çdo pensionist duhet ta dije se sa i detyrohet fondit të sigurimeve, 100 mln euro.“
Berisha premtoi hetim për të gjitha abuzimet që, sipas tij, janë bërë në 12 vitet e qeverisjes socialiste me fondet e buxhetit të shtetit.
“Një kontroll i plotë, se ku shkuan 64 miliardë euro të buxheteve të kësaj qeverie, në një kohë që shqiptarët marrin rrogat e pensionet më të ulëta, largohen masivisht nga Shqipëria, varfëria ka arritur në 41% të fëmijëve, e të rinjve 51%. Sigurisht që do të bëhet një audit i plotë i të gjithë këtij abuzimi i paprecedentë në historinë e Shqipërisë.“
Sipas Berishës, qeveria Rama është përgjegjëse për vjedhjen e më shumë se 30% të fondeve të buxhetit të shtetit, ndaj çdo nesër fiton zgjedhjet, auditimi i mënyrës si janë shpenzuar taksat e shqiptarëve do të jetë prioritet.