Rama: Europa duhet të zgjerohet, Sherifit duhet t’i shfaqemi te dera si një treg 700 milionësh

Kryeministri Edi Rama nga Gjermania kritikoi ritmet e ngadalta të procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Gjatë punimeve të konferencës së sigurisë në Mynih, në panelin për procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian, kryeministri shqiptar kritikoi burokracinë e Bashkimit Europian që zvarrit procesin e zgjerimit.
“Mendoj që Europa, Bashkimi Europian duhet të ndajnë mendjen për atë çka po ndodh sepse ka ndryshuar sa i takon qëndrimit ndaj nesh dhe ka ndryshuar sa i takon ritmit të përafrimit me Ballkanin Perëndimor, por ajo çfarë po ndodh është që ndryshon shumë ngadalë dhe shumë pak. Mund të flasim gjithë ditën për procesin bazuar në meritë, por besoj që ka ardhur koha që të bëjmë një ndarje shumë të qartë dhe shumë të menjëhershme. Procesi i bazuar në meritë duhet të jetë vetëm për një gjë, për të drejtën e votës në Këshillin Europian”, tha Kryeministri Edi Rama.
Kryeministri Rama vuri në dukje se pas rizgjedhjes së presidentit Donald Trump, BE ka vetëm një alternativë përballë Shteteve të Bashkuara.
“Problemi është që nëqoftëse BE do të dojë të dalë nga të gjitha këto kriza, duhet të bashkohet si Europë. Dhe ashtu siç ka thënë doktor Kissinger, Amerika pa Europën është thjesht një ishull. Europa pa Amerikën është një gadishull, kështu që ai ishull dhe ky gadishull duhet të jenë bashkë, por që sherifi në atë ishull të marrë seriozisht BE, BE duhet të bëhet më i fuqishëm dhe shifrat kanë vlerë për sherifin. Kështu që ne duhet të shfaqemi te dera e sherifit si një treg 700 milionësh, në të kundërt jemi të destinuar të përfundojmë si priftërinjtë në Kostandinopojë që kur muret binin ata kishin një diskutim shumë të rëndësishëm për seksin e engjëjve.”
Pjesë e panelit ishte edhe komisionerja e zgjerimit, Marta Kos, e cila së shpejti do të vijë në Tiranë.
Marta Kos, Komisionere për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin:
“Megjithatë pres me padurim që të vij në Tiranë. Unë madje dhe do t’i hyj me notë detit nëqoftëse ju thoni që kjo është e nevojshme për të pasur marrëdhënie të mira me BE.”
Kryeministri Edi Rama:
“Po, sepse keni qenë kampione olimpike noti. Nuk është e vështirë për ju. Problemi është si të bëjmë Brukselin të notojë.”
Gjatë qëndrimit në Mynih, kryeministri Rama ishte pjesë edhe e panelit për situatën në Rripin e Gazës dhe konfliktin Izrael-Palestinë. Gjatë këtij aktiviteti, Rama përsëriti se Shqipëria nuk do të pranojë të strehojë qindra mijëra palestinezë, duke theksuar se një plan i tillë nuk është diskutuar asnjëherë me administratën amerikane.”