Programi i kodimit, Muzhaqi: Aplikantët duhet të kalojnë testin e logjikës

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, e ftuar paraditen e sotme në emisionin “Në radio” të gazetarit Andri Xhahu, u ndal te Programi i Kodimit.
I çelur më 23 janar, ky program është për të rinjtë mbi 16 vjeç të cilët janë të apasionuar pas teknologjisë dhe duan të thellojnë njohuritë e tyre.
“Është një program që ofrohet në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe akademi të huaja. Holberton dhe Betaplan janë dy akademi që vijnë me licensa nga Silicon Valley në SHBA, dhe Protik by SDA është një akademi që vjen nga Polonia, dhe dy janë akademi shqiptare, Albanian ICT Academy dhe IKUB. Këto kompani kanë një eksperiencë shumë të mirë për të ofruar kurse programimi afatshkurtra nga 4 deri në 12 muaj. Gjatë kësaj periudhe mund të bëhesh një programues i mirëfilltë dhe mund të fillosh një punë me një rrogë shumë të mirë në Shqipëri, e krahasuar edhe me vendet e Bashkimit Europian.”
Muzhaqi sqaron se për të rinjtë e interesuar, aplikimi bëhet në platformën e-Albania, i cili zgjat jo më shumë se 10 minuta. “Mjafton të aplikosh për kurse të formimit profesional me mbështetje financiare. Janë rreth njëzet kurse, nga gjuhët e ndryshme të programimit, te Python, Java, etj. Pasi zgjedh kursin, shfaqet akademia për të cilën t’i mund të vendosësh për të ndjekur kursin.”
Kurset e kodimit do të subvencionohen nga qeveria.
“Mbështetja e parë është për studentët dhe ata që janë në punë. Nga ana e qeverisë mbështetja financiare është 50 për qind e tarifës deri në 150 mijë lekë. Pjesa tjetër e mbështetjes është për ata që janë të papunë dhe që nuk janë studentë. Për ta mbështetja financiare është 100 për qind deri në vlerën 300 mijë lekë.”
Pas miratimit të aplikimit nga e-Albania, të rinjtë duhet të kalojnë provimin e logjikës.
“Edhe pse nuk është e nevojshme të kesh njohuri të mëparshme për programimin, pjesa e rëndësishme është që duhet të kalosh testin dhe të tregosh që ke aftësinë ta ndjekësh kursin nga fillimi deri në fund. Lajmi i mirë është që nëse nuk e kalon testin herën e parë, mund të aplikohet sërish.”
Por ka një kusht nga ana e qeverisë. “Pasi përfundon kursin duhet të qëndrosh në Shqipëri për dy vite, megjithëse kjo nuk ka qenë një pengesë për të rinjtë për të vazhduar kursin.”
E pyetur për interesin e deritanishëm nga ana e të rinjve për këtë program, Muzhaqi shprehet se ka qenë mjaft i lartë. “Deri të hënën e kësaj jave kemi pasur 2200 të rinj të interesuar. Është një numër i lartë për më pak se dy muaj.”
/rtsh.al/