E Hënë, 2 Nëntor 2026

Programi kombëtar për shikimin, Koçiu: Kontrolle për mbi 86 mijë fëmijë në shkolla

Mbi 86 mijë fëmijë kanë përfituar nga programi kombëtar i depistimit të shikimit në shkolla.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, ka bërë publike rezultatet e Programit Kombëtar të Depistimit të Shikimit në shkolla, duke theksuar se gjatë vitit shkollor 2024–2025 janë përfshirë 86,007 nxënës në këtë nismë.

Sipas ministres, 9,815 fëmijë janë referuar për vizitë tek mjeku specialist për ndjekje të problematikave të identifikuara gjatë kontrollit fillestar.

“Edhe gjatë këtij viti të ri mësimor, do të vijojmë të ofrojmë kontrolle të rregullta dhe ndërhyrje të hershme, me fokus tek shëndeti i fëmijëve,” u shpreh Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Kujtojmë se në prill të vitit 2022, qeveria shqiptare miratoi Programin Kombëtar për Kujdesin e Shikimit për Fëmijët, një nismë që synon të ofrojë kontroll dhe mbështetje të specializuar për shëndetin e syve të fëmijëve, që nga lindja deri në moshën 14-vjeçare.

Qëllimi kryesor i këtij programi është identifikimi i hershëm i çrregullimeve të shikimit, duke mundësuar ndërhyrje të shpejta për korrigjimin e tyre. Kjo parandalon përkeqësimin e problemeve vizuale që, në rastet më të rënda, mund të çojnë deri në verbëri.

Programi fokusohet në parandalimin, edukimin dhe ofrimin e shërbimeve të integruara në institucionet arsimore, duke e bërë kujdesin për shikimin pjesë të pandarë të mirëqenies së fëmijëve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›