Programi pas shkolle, ministrja Kumbaro: Dyfishohet pagesa, zgjerohet lista e mësuesve që mund të kontribuojnë

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë bëri me dije se, në vijim të ndryshimeve ligjore të muajit mars, është miratuar një vendim i ri që synon të mbështesë zgjatjen e kohës së qëndrimit të nxënësve në shkollë, duke kombinuar mësimin e detyrueshëm me aktivitetet e programit “Pas Shkolle”.
Në këtë kuadër, qeveria ka vendosur dyfishimin e shpërblimit për orët jashtë programit mësimor të detyrueshëm, nga 500 lekë në 1000 lekë për një orë.
Po ashtu, është zgjeruar lista e bashkëpunëtorëve, duke përfshirë jo vetëm mësuesit aktualë, por edhe mësues në pension, si dhe ekspertë e specialistë të fushave të ndryshme si arti, muzika, zejet dhe sporti.
“Këshilli i Ministrave vendosi që të dyfishojë honorarin me të cilin shpërblehen këto orë jashtë mësimit të detyruar në shifrën 10 mijë lekë të vjetra për orë, për 60 minuta. Ishte parashikuar në 5 dhe kemi arritur në 10. E hapim listën e bashkëpunëtorëve jo vetëm për mësuesit që janë pjesë e sistemit, por edhe për mësues që janë në pension dhe janë aktivë, specialistë të ndryshëm të artit, muzikës, për artizanë që të bëhen pjesë e programeve jashtëshkollore ku shkollat sot do të kenë fondin e disponueshëm për të shpërblyer në mënyrë dinjitoze këta bashkëpunëtorë që vijnë nga komuniteti”, tha Kumbaro.