Projekt-rezoluta e PD-së për uljen e taksave, Balla: Kërkoni që si i pasuri dhe i varfëri, ta përballojnë njësoj krizën

Projekt-rezoluta e PD-së në Kuvend për uljen e taksave, është bërë objekt debati të ashpër parlamentar. Deputeti socialist Taulant Balla, njëkohësisht edhe kryetar i grupit parlamentar të PS, në vijim të debateve mes opozitës dhe mazhorancës, u shpreh se “projekt- rezoluta e PD-së është një paketë e politikave të sheshta, të cilave u ka kaluar koha“.
“Sa i përket ndihmës ekonomike. Ju nuk e keni pasur mendjen, por buxheti është shumë më i mirë se ajo që keni propozuar ju. Kemi rritur 3 herë skemën e ndihmës ekonomike. Gjatë pandemisë paketa e solidaritetit përfshiu mbështetjen, duke e dyfishuar. Qeveria paguan sot 80% të faturës së energjisë. S’ka qeveri sot në Evropë që të subvencionojë 80% të energjisë për familjet. Kompensimi me 30 mijë lekë, që disa prej jush e tallën, ndihmon qytetarët të mos ndjejnë rritjen e çmimeve. Ju keni ardhur këtu me një paketë të politikave të sheshta. Por kësaj i ka ikur koha. Keni ardhur këtu me një paketë që krizën duhet ta përballojnë njësoj si të pasurit ashtu edhe të varfërit. Kjo është e papranueshme.’- tha Balla.