Projektbuxheti 2025, Malaj: 800 milionë lekë më shumë për Drejtësinë

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Ministri i Financave Petrit Malaj tha se, “projektbuxheti për vitin 2025, një vëmendje e veçantë i kushton financimit të Planit të Rritjes së Bashkimit Europian (BE) për Ballkanin Perëndimor, si një instrument i rëndësishëm për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike sociale të vendit tonë me vendet e BE”.
Gjatë prezantimit të Pr/buxhetit 2025 në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të Kuvendit, ministri informoi se, treguesit pozitivë makroekonomikë mbështesin trendin në rritje të ekonomisë në nivelin 3.9% për vitin 2025 dhe uljen e borxhit në 55.8% të PBB.
Për sa i përket Pr/buxhetit 2025 për sektorin e drejtësisë, ai u shpreh se, shpenzimet kanë njohur rritje të konsiderueshme që prej nisjes së reformës në Drejtësi në vitin 2016.
“Projektbuxheti i vitit 2025 parashikon rreth 27 miliardë lekë për këtë sektor, ose rreth 14.3 miliardë lekë më shumë se në vitin 2016 dhe 800 milionë lekë më shumë, kundrejt 2024. Këto shifra reflektojnë mbështetjen financiare për ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të reja të reformës, ku përfshihen institucionet e Vetting-ut, të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, reformimin e institucioneve të sistemit të akuzës dhe sistemit gjyqësor, të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, të Shkollës së Magjistraturës, reformimin e institucioneve të tjera të varësisë së Ministrisë së Drejtësisë, duke e përmbyllur me mbështetjen financiare të sistemeve të teknologjisë në sistemin e drejtësisë dhe miratimin e hartës së re gjyqësore”, tha Malaj.
Ministri dha detaje të projektbuxhetit për këtë sektor, ku vuri në dukje se shpenzimet e personelit për punonjësit e sistemit të drejtësisë, parashikohen në masën 17.2 miliardë lekë, ose 10.2 miliardë lekë më shumë se në vitin 2016.
Sipas tij, për vitin 2025, shpenzimet e personelit për të gjitha institucione e sistemit të drejtësisë janë rritur me 1.2 miliardë lekë krahasuar me buxhetin fillestar për vitin 2024.
Kjo rritje, shpjegoi ministri, i kushtohet efektit financiar të reformës së pagave të vitit 2024 si dhe rritjes së numrit të punonjësve të parashikuar për këtë sektor në vitin 2025 me rreth 154 punonjës.
Malaj bëri të ditur se, shpenzimet për investime në vitin 2025 parashikohen rreth 3 miliardë lekë, duke e çuar financimin në total nga viti 2016 në masën 16.7 miliardë lekë.
Ai u ndal në disa nga projektet kryesore të investimeve publike që financohen në buxhetin 2025, që janë: Për SPAK, projekte në ndërhyrje infrastrukturore dhe pajisjeve teknologjike në vlerën 600 milionë lekë; Zhvillimi i një sistemi të ri të menaxhimit të çështjeve gjyqësore ICMIS në vlerën 262.5 milionë lekë për vitin 2025; (1.4 miliardë lekë vlera e plotë); Ngritja dhe Ndërtimi i Institucionit për edukim dhe rehabilitim të të miturve me vlerë 626.2 milionë lekë për vitin 2025, nga 2.3 miliardë lekë vlerë e plotë e projektit; Ndërtimi i Institucionit të ri të Ekzekutimit të Vendimit Penal Kukës me financim për vitin 2025 prej 240 milionë lekë, për një vlerë totale financimi prej 640 milionë lekësh.
Komisioni i Ligjeve, foto: Florian Abazaj 1 nga 3/j.p/r.e/