Projektbuxheti 2025, Minxhozi: Rritja ekonomike 3.9% dhe inflacioni 3%, pozitive ulja e borxhit

TIRANË, 15 nëntor /ATSH/ Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi deklaroi se Projektbuxheti i vitit 2025 mbështet rritjen ekonomike të vendit në pritshmërinë 3.9% dhe inflacion në nivelin 3%.
Gjatë diskutimit ditën e sotme të Projektbuxhetit 2025, në Komisionin e Ekonomisë të Kuvendit, Minxhozi tha se, “Banka e Shqipërisë gjykon se konsolidimi fiskal dhe normalizimi i qëndrimit të politikës monetare përbën kombinimin më të mirë të mundshëm të politikave ekonomike. Ky kombinim mundëson kthimin e inflacionit në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2025, si dhe nuk cenon premisat e rritjes ekonomike”.
Në gjykimin e Bankës së Shqipërisë, vijoi ajo, konsolidimi financiar dhe fiskal përmes masave që ka marrë qeveria do të japë efekte pozitive për ekonominë dhe tregjet financiare shqiptare. Ndërsa vlerësoi pozitivisht reduktimin e parashikuar të borxhit publik në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, nga niveli 56.3% i PBB-së i pritur për vitin 2024, në nivelin 55.8% të PBB-së për vitin 2025.
Minxhozi theksoi se, “projeksionet tona sugjerojnë se rritja ekonomike e vendit do të mbetet në territor pozitiv edhe gjatë viteve të ardhshme. Ndonëse ambienti i huaj mbetet sfidues. Rritja e ekonomisë shqiptare pritet të mbështetet nga kërkesa e brendshme për mallra e shërbime, nga bilancet e shëndosha financiare të sektorit privat, nga ruajtja e ritmeve pozitive të kredisë bankare, si dhe nga vijimi i trendit rritës së të ardhurave nga turizmi”.
/r.e/a.f/
Komisioni i Ekonomisë diskuton pr/bixhetin e vitit 2025, Foto: Florian Abazaj 1 nga 3