Projektbuxheti 2026, Kumbaro: Konsolidon rritjen e pagave dhe rrit cilësinë e arsimit

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro prezantoi sot në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, projektbuxhetin e arsimit për vitin 2026, i planifikuar në shumën 64 miliardë e 865 milionë lekëve me një shtesë prej 2 miliardë e 846 milionë lekë nga buxheti fillestar i vitit 2025.
Gjatë prezantimit, Kumbaro theksoi se projektbuxheti për vitin 2026 konsolidon rritjen e pagave, uljen e pabarazive, përmirësimin e infrastrukturës dhe cilësisë arsimore.
“Projektbuxheti i vitit 2026 për Ministrinë e Arsimit është planifikuar në shumën 64 miliard e 865 milion lekë ose 648,6 milion Euro, me një shtesë prej 2 miliard e 845 milion lekë (28,4 milion Euro) ndaj buxhetit fillestar të vitit 2025 ose një rritje prej 4,6% më shumë se buxheti fillestar i vitit 2025.
Ky është buxheti më i lartë historik nominal për arsimin. Por është e rëndësishme të themi se Sektori i Arsimit mbështetet edhe nga aktorë të tjerë, duke e rritur ndjeshëm financimin real.
Në total, këto fonde të injektuara së bashku me buxhetin e Ministrisë së Arsimit për vitin 2026 arrijnë vlerën rreth 90 miliard lekë ose mbi 900 milion Euro, duke e rritur peshën e sektorit në: 10.1% të shpenzimeve publike.
Buxheti për Arsimin mbështetet gjithashtu edhe me investimet kapitale në fondin 54,5 milion Euro, ku do të vijojë mbështetja për investimet në infrastrukturën e arsimit bazë, arsimit të mesëm të lartë dhe arsimit të lartë publik, si dhe mbështetja për infrastrukturën e kërkimit shkencor”, theksoi ministrja Kumbaro.
Kumbaro shpjegoi më tej se buxheti i Ministrisë së Arsimit për vitin 2026 ndahet në 5 programe buxhetore.
“Në Arsimin Parauniversitar do të financohen 425 milionë euro paga, 37.3 milionë euro shpenzime korrente siç janë ato për transport, për bursa dhe kuotë ushqimore, tekstet falas, hartimin e programeve dhe rishikimin e kurrikulave, trajnimin e mësuesve, programet pas shkollore, mbështetjen për tekstet e diasporës dhe qendrat burimore e shkollat me status të veçantë etj. Nga viti 2026 nis një rritje e re pagash për mësuesit prej 36.000 lekësh në vit”, tha Kumbaro.
Gjithashtu, ministrja Kumbaro u shpreh se do të vijojnë investimet për 42 kantiere shkollash të hapura, për mobilimin e tyre, blerjen e mjeteve laboratorike dhe pajisjen e klasave me SmartLabe, ndërsa hapjes së Liceut Francez të Korçës, i është dedikuar një fond prej 1 milionë euro.
/rtsh.al/