Projektbuxheti për DPA, Bido: Çdo ditë skanohen 13 mijë dokumente arkivore

TIRANË, 5 nëntor/ATSH/ Drejtori i Përgjithshme i Arkivave, Ardit Bido informoi sot se në 1 janar të vitit 2025, DPA-së do t’i bashkohen 2 institucione të tjera: Arkivi i Ministrisë Brendshme dhe Arkivi i Ministrisë së Mbrojtjes. Gjithashtu pranë DPA do të kalojë gjithë dokumentacioni i arkivave nga prokuroritë dhe gjykatat si dhe i institucioneve të tjera kushtetuese që deri dje i mbanin vetë.
Bido ishte i pranishëm në seancën dëgjimore në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik ku u diskutua në parim projektligji për buxhetin 2025.
Sipas drejtorit të Përgjithshëm të DPA, Salla e Studimit Online ka trefishuar sasinë e dokumentacionit të kërkuar që në muajin e parë dhe rritja e volumit të punës nuk është shoqëruar nga projektligji me rritje të shpenzimeve operative, për të tretin vit radhazi.
Në shkresën që DPA i ka dërguar Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, është paraqitur kërkesa buxhetore shtesë e detajuar për 35 mln lekë.
“DPA është i vetmi arkiv evropian që e ofron shërbimin tërësisht online pa pagesë. Për të ardhur në këtë moment, puna nisi në 2018 kur nisi skanimi masiv, me 12 mijë dokumente në ditë, buxheti ka qenë 10 mln lekë më pak nga sot”, tha Bido.
Sipas kreut të arkivave, për të mbajtur shërbimin online aktiv duhen skanuar çdo ditë 13 mijë dokumente dhe të dixhitalizohen materiale audio e video. Përpara 6 vitesh kur nisi dixhitalizimi masiv, në Arkivin e Shtetit ishin të skanuara 800 mijë dokumente dhe aktualisht ka arritur në 12 mln dokumente të skanuara.
Bido tha se, DPA i ka “ngrënë” vazhdimisht vetes sasinë e gjithë shpenzimeve të tjera në një raport kosto-eficiencë, për të arritur në këtë qëllim, ndërkohë që shtimi i punës duhet shoqëruar me kostot e veta operative.
Evis Kushi e cila drejtoi seancën tha se do ia përcillte të gjitha shqetësimet e ngritura, Komisionit të Financave dhe Ekonomisë, në mënyrë që të adresohen gjatë shqyrtimit e miratimit të buxhetit.
Pas prezantimit të drejtorit të Përgjithshëm Bido, ndërhynë deputetët Ndreca dhe Nebijaj të cilët vlerësuan punën e mirë të bërë nga DPA e cila është e dukshme dhe e arritshme nga të gjithë. Oriela Nebiaj tha se do të kishte dashur që DPA të mos ishte në këtë ngërç me financat dhe uroi që DPA të jetë shembull se si lekët e investuara mirë, japin një produkt konkret. /j.p/