Projekte për ndërtim hidrocentralesh në Moraçë
Qeveria e Malit të Zi hapi një tender për të dhënë me koncesion ndërtimin e katër hidrocentraleve të vegjël mbi lumin Moraça, i cili përshkon kryeqytetin Podgoricë para se të derdhet në Liqenin e Shkodrës. Pas publikimit të njoftimit të tenderit, Podgorica mësohet se i ka dërguar një letër qeverisë shqiptare për të parë nëse ka ndonjë pakënaqësi në lidhje me këtë veprim. “Ministria e Planifikimit Hapësinor dhe Mbrojtjes Ambientale e Malit të Zi i ka dërguar një letër Shqipërisë, gjë që është detyrim ligjor për të, duke e ftuar për bashkëpunim të mundshëm dhe shkëmbim informacioni në lidhje me pasojat që mund të lindin në zonën ndërkufitare nga ky projekt”, njoftoi javën e shkuar agjencia rajonale e lajmeve “Energetika.net”.
Liqeni i Shkodrës konsiderohet pasuri e përbashkët e të dyja vendeve dhe për pasojë, çdo projekt që mund të sjellë ndryshime në këtë liqen duhet të diskutohet mes dy palëve. Qeveria shqiptare hartoi në vitet ’80 një projekt për ndërtimin e hidrocentralit të Bushatit, por projekti u braktis më vonë, pasi u mësua se i gjithë ekosistemi i zonës ndërkufitare mund të pësonte ndryshime rrënjësore. Ndërtimi i hidrocentralit vlerësohej se do të ulte me disa metra nivelin aktual të Liqenit të Shkodrës, duke çliruar mijëra hektarë tokë. Projekti i hidrocentralit të Bushatit u zëvendësua në Shqipëri nga hidrocentrali i Ashtës, i cili do të funksionojë me rrjedhje të lirë dhe nuk do të sjellë ndryshime në fluksin e ujërave që derdhen në Liqenin e Shkodrës.
#