Projektet e BB-së, ashkia e Tiranës shkakton probleme
Shtëpitë e tyre u prishën nga Bashkia e Tiranës me argumentimin se ishte pjesë e një projekti të BB-së
Bashkia e Tiranës ka keqpërdorur emrin e Bankës Botërore, duke shkaktuar probleme speciale nëpërmjet projekteve që financoheshin prej Bankës. Kjo ka bërë që Banka Botërore ta shikojë me dyshim bashkëpunimin e saj me drejtuesit lokalë. Në parimet e saj, BB nuk mundet në asnjë rast të përfshihet në probleme sociale për shkak të projekteve të veta, kështu që implikimi i qëllimshëm nga ana e Bashkisë së Tiranës ka ftohur fort marrëdhëniet e këtij institucioni të rëndësishëm me pushtetin lokal. Historia që ka sjellë këtë ftohje, zë fill dy vjet më parë, kur Bashkia e Tiranës prishi rreth 50 shtëpi, duke lënë banorët ende të jetojnë në qiell të hapur. U ishin premtuar dëmshpërblime pas një rasti analog në Jalë, por ende nuk kanë parë asnjë lekë me sytë e tyre, as nga Bashkia e Tiranës, as nga Banka Botërore. Banorët e zonës së Laprakës, pranë Bregut të Lumit, panë dy vjet më parë se si fadromat e marra me qira nga Bashkia e Tiranës prishnin shtëpitë e tyre, që i kishin ndërtuar me mund e teksa i kishin në proces legalizimi. Nuk mund të bënim asgjë, - na thonë edhe sot e kësaj dite, me pengun e dëmshpërblimit të munguar.
Atëherë, edhe pse shtëpitë i kishin në proces legalizimi, askush nuk pyeti as ALUIZNI-n e as ata vetë, por bashkia e kryeqytetit vendosi prishjen e thuajse 50 shtëpive, me argumentin se është një projekt i Bankës Botërore. Në fakt, projekti i Bankës Botërore ekzistonte dhe parashikonte prishjen e rreth 10 ndërtimeve, të cilat në çdo rast do të duhet të shpronësoheshin sipas ligjeve në fuqi. Diçka e tillë nuk ndodhi, përkundrazi; ata u thirrën që jo vetëm të largoheshin nga shtëpitë e tyre, por edhe të mos bënin fjalë për këtë çështje. Banka Botërore u alarmua në lidhje me këtë problem; në Tiranë u dërguan specialistë, duke filluar hetimin e ngjarjes, por megjithatë asnjë përgjigje konkrete nuk u dha. Nga ana e saj, Bashkia e Tiranës u fsheh pas emrit të Bankës Botërore, duke krijuar një sërë alibish për prishjen e këtyre ndërtesave, të cilat sot janë pallate shumëkatëshe në ndërtim, në të ashtuquajturën lagje të Delijorgjit... Dy ditë përpara se të ndodhte, na erdhi një lajm që do të na prishin shtëpinë. Në fillim nuk e besuam, - na thotë njëri prej banorëve. - Na thanë se ishte projekt i Bankës Botërore dhe se do të na jepnin dëmshpërblim. Në qershor të vitit të kaluar, 50 shtëpi u rrafshuan nga Bashkia e Tiranës. Kryetari Rama kishte deklaruar atëherë se bëhej fjalë për një projekt të Bankës Botërore, që synonte integrimin e zonës dhe se ekzistonte një studim i pjesshëm për këtë zonë, çka i lejonte bashkisë ndërhyrjen në shtëpi të caktuara. E ndërkohë që edhe sot, pas rreth dy vitesh, ata nuk kanë reshtur së dërguari kërkesa në Bankën Botërore dhe në Bashkinë e Tiranës, ata ende nuk kanë marrë një përgjigje konkrete përveçse premtimet e përhershme për dëmshpërblim.