Argëtimi me 900-ën
Linja muzeale me tablo shqiptare që tregon historinë e zhvillimit të arteve pamore, e hapur në katin e dytë të Galerisë Kombëtare të Arteve
Gjithë linja muzeale me tablo shqiptare që tregon historinë e zhvillimit të arteve pamore, e hapur në katin e dytë të Galerisë Kombëtare të Arteve për gati një muaj do të kthehet në bodrum për ti lënë vendin tablove origjinale që vijnë nga Italia e 900-ës. Mirë nuk do ishte që kjo linjë të zhvendosej, qoftë dhe për pak kohë apo dhe për arsye përballjeje, a kurioziteti artistik. Lajmi vjen nga galeria se nga data 21 prill deri më 30 maj në mjediset muzeale të saj për herë të parë do të hapet ekspozita me veprat e disa prej artistëve më të njohur të skenës ndërkombëtare të artit botëror. Në kuadër të stinës së aktiviteteve italo-shqiptare Dy popuj, një det, një miqësi, GKA në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Tiranë sjell klasikët origjinalë të 900-ës, nga koleksioni Ca La Ghironda, i koleksionistit të njohur italian, mjekut Francesco Martani. Përzgjedhja thuhet se është kryer nga GKA dhe Qendra Kulturore Ca La Ghironda. Ekspozita është e ndarë në dy seksione, ku e para Shkëlqime klasike paraqitet me vepra të autorëve më të njohur Italianë të shekullit XVI dhe XVII, ndër të cilët artistë si Francesco Raibolini i njohur si Françia (Francesko Raibolini - Francia), Guido Reni, Annibale Caraci (Anibale Karaçi), Giovan Francesco Barbieri i njohur si Guercino (Xhovan Francesko Barbieri njohur si Guerçino).
Piktura më e hershme që hap këtë seksion daton në vitin 1506, ku bëhet fjalë për Francesco Raibolini, i konsideruar ndër më të rëndësishmit e shkollës së Bolonjës. Tabloja i përket portretit të Lucrecia Romana, që njihet si heroina legjendare e Romës antike. Pjesë e këtij seksioni është edhe një vepër nga artisti i famshëm flamand i shekullit XVII Anthony Van Dyck (Anton Van Dik). Ky seksion është një përzgjedhje e kujdesshme e shkollave të ndryshme të qyteteve italiane, si ajo e Bolonjës, Romës, Venecias apo Napolit. Është kjo një periudhë e fortë reformash dhe kundëreformash fetare. Konteksti politik, fetar dhe social janë vështrimet e këtij peizazhi të 900-ës, ku publiku do të njihet dhe me tema të antikitetit romak të përcjellë nga klasikët e pikturës italiane.
Seksioni dytë i kësaj ekspozite me titull Atmosfera e shekullit XX, paraqet pothuajse të gjitha kërkimet artistike gjatë shekullit të shkuar. Shekulli XX njihet si shekulli i eksperimentimit maksimal në art dhe ky seksion është një përzgjedhje me qëllim për të ofruar para publikut të GKA-së, vepra që përfaqësojnë disa nga rezultatet e këtyre kërkimeve dhe tendencave, - shënohet në njoftimin për shtyp nga specialistët e GKA-së. Ky seksion përmban vepra nga artistët më të famshëm italianë dhe botërorë të shekullit XX, si Kazimir Malevich, Giorgo de Chirico, Giorgo Morandi, Rene Magritte, Piet Mondrian, March Chagall, Joan Miro, Pablo Picasso, Francis Bacon, Lucio Fontana, Andy Warhol, Jean Michel Basquiat etj. Ky seksion nis me eksperimentet e para që iu takojnë vizatimeve të Kazimir Malevich-it duke vazhduar me Piet Mondrian-in dhe veprat e konsideruara modeste të Giorgo Morandi-it.
Çfarë ka bërë bujë dhe njihet më gjerësisht prej masës së shqiptarëve është tabloja origjinale e Pablo Pikasos që thuhet se vjen një nga veprat e tij të fundit.
Nga galeria thuhet se të dyja seksionet e kësaj ekspozite përmbajnë vepra origjinale të autorëve të sipërpërmendur dhe masat e sigurisë për to pritet të jenë maksimale, ashtu sikurse shuma që është derdhur si garanci për ardhjen në Shqipëri të tyre, ku flitet se është një shifër prej 80 mijë euro. Kjo ekspozitë është realizuar në bashkëpunim me Ambasadën Italiane, Fondacionin Ca La Ghironda dhe është mbështetur financiarisht nga Fondacioni i Artit të Bankës Bujqësore të Mantovës, Bashkia e Bolonjës, Bashkia e Mantovës.
Ndonëse janë koleksione private, këto përbëjnë trashëgimi kulturore për Republikën e Italisë dhe ardhja e tyre për ekspozim në Shqipëri është bërë me vendim qeverie. Çfarë do të përjetojë publiku me hapjen e kësaj ekspozite ka të bëjë me një rast kurioziteti dhe shijimi estetik për këtë epokë dhe autorë të mëdhenj, pa gjasa se ndonjë erë e tillë të ketë përfshirë dhe artet tona pamore.