Projekti TAP intensifikon e marredheniet Shqiperi-Azerbajxhan
Projekti i TAP-it paraqet bindshëm një mundësi për intensifikimin e marrëdhënieve shumëanëshe mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit.
Ky ishte konstatimi i Kryeministrit Berisha gjatw takimit qw zhvilloi sot me delegacionin e nivelit të lartë të kompanisë azere të prodhimit të naftës dhe gazit, i kryesuar nga Presidenti, zoti Rovnaq Abdullayev, i shoqëruar edhe nga ambasadori i Azerbajxhanit për Shqipërinë, zoti Rahman Mustafayev.
Presidenti Abdullayev transmetoi përshëndetjet e përzemërta të Presidentit të Azerbajxhanit, zotit Aliyev, për Kryeministrin Berisha. Gjithashtu, ai shprehu mirënjohjen e tij për kontributin dhe angazhimin personal të Kryeministrit Berisha në mbështetje të projektit të TAP-it, si një projekt me rëndësi jo vetëm për Europën, por veçanërisht për rajonin. Ai theksoi se një projekt i përmasave të tilla, me impaktin ekonomik dhe gjeopolitik të tij, do të shërbejë si një themel i fortë për zhvillimin në të ardhmen e Shqipërisë. Në vijim, ai shprehu angazhimin e kompanisë SOCAR për të bashkëpunuar ngushtë me autoritetet shqiptare, për të ravijëzuar në detaje masterplanin dhe të gjitha proceset për gazifikimin e Shqipërisë.
Kryeministri Berisha shprehu falenderimet e tij të sinqerta për përzgjedhjen e projektit të TAP-it, duke e konsideruar si një arritje strategjike të jashtëzakonshme për Shqipërinë. Veçanërisht, Kryeministri shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e tij për këndvështrimin vizionar të Presidentit Aliyev në këtë proces të rëndësishëm, si pjesë të Korridorit të Jugut të Gazit, me rëndësi për të gjithë Europën.
Vendimi përfundimtar i përzgjedhjes së projektit TAP u mirëprit nga Shqipëria, pasi projekti ofron mundësi reale për diversifikimin e burimeve të energjisë në vend përmes gazifikimit të Shqipërisë, jo vetëm për qëllime industriale, por edhe për qëllime rezidenciale, theksoi ai. Kryeministri Berisha edhe njëherë shprehu bindjen se autoritetet shqiptare do të përmbushin të gjitha detyrimet për të bërë të mundur përfundimin nga konsorciumi TAP e ndërtimit të gazsjellësit në kohë, sikurse edhe për të garantuar fazën e operimit të tij, sipas angazhimeve të ndërmarra.