Projekti i gazifikimit të Korçës, nis studimi gjeoteknik dhe gjeofizik në terren

Në kuadër të realizimit të projektit madhor të gazifikimit të Korçës kanë nisur investigimet gjeoteknike dhe gjeofizike në terren, një fazë e rëndësishme për përgatitjen e infrastrukturës së re dhe avancimin e projektit.
Grupi i punës është duke marrë mostrat e shtresave të tokës në pika të ndryshme të qytetit të Korçës për të nxjerrë një raport gjeologjik mbi gjendjen aktuale, e cili më pas do i jepet firmës zbatuese të projektit të gazifikimit.
“Ky është studimi gjeologjik që po bëhet në të gjithë Korçën për shpërndarjen e gazit, i cili do të shtrihet në të gjithë qytetin.
Ne bëjmë studime gjeologjike për shtresat e tokës dhe bazamentet. Për këto kemi edhe laboratorin e analizave. Marrim mostrat, bëjmë shpime në të gjithë qytetin, marrim mostrat përkatëse dhe kryejmë analizat. Në bazë të rezultateve, përcaktojmë shtresat e tokës dhe kushtet gjeologjike për shtrirjen e tubacionit të gazit në qytet. Pas përfundimit të këtij studimi, vijojnë edhe procedura të tjera, sipas planifikimit dhe procedurave që ka kompania, e cila më pas do të fillojë punimet. Ne përfaqësojmë vetëm pjesën e studimeve gjeologjike. Në përgjithësi, kemi studiuar të gjithë zonën e Korçës”, u shpreh Xhevdet Sadiku, Kryetar i grupit të punës.
Gazifikimi i Korçës është një ndër projektet më të rëndësishme strategjike për të ardhmen e qytetit, që do të sjellë një infrastrukturë energjetike moderne dhe një zgjidhje afatgjatë për ngrohjen e popullatës.
Gazetare Kostanca Koçi
/rtsh.al/